Gazetari Ilir Ikonomi, i ftuar në emisionin Kjo javë në News24 të moderatores Nisida Tufa, foli për librin e tij “Apostolli” (dedikim për Fan Nolin), me të cilin fitoi çmimin “Lumo Skëndo”.
Ikonomi theksoi se beson se e ka fituar çmimin “Lumo Skëndo” ndoshta sepse Fan Noli është një figurë që tërheq shqiptarët. Ai shton se Noli është një figurë shumë dimensionale, duke shtuar se për këtë libër ka nisur studimet që në vitin 2016.
“Nuk e besoja se do të fitoja çmimin “Lumo Skëndo”. Sa herë që jam në ajër me aeroplan, kritikoj shpesh edhe veten, duke pasur merak sesi do të dal përpara publikut shqiptar. Unë besoj se fitova çmimin “Lumo Skëndo” sepse ndoshta libri im “Apostulli” ishte për Fan Nolin, një prej kolosëve të letërsisë shqiptare. Fan Noli është figurë e tillë, që bën njerëzit të tërhiqen rreth tij. Noli ka një jetë të larmishme, është marrë me politikë, ka shkruar poezi, ka bërë piktura, ka përkthyer.
Noli ka pasur miqësi me Mit’had Frashërin, besoj se i kanë lidhur interesat kombëtare. Kam që nga viti 2016 që punoj për këtë libër dhe kërkimet i kam nisur shumë herët, që kur kisha bërë një libër për Konicën dhe gjithmonë aty më dilte Noli. Fan Noli ka lënë shumë shkrime e dokumente, që duhet të shikohen me hollësi. Fan Noli ishte një njeri shumë i mençur, ishte tepër i përgatitur, kjo bënte që ai të ishte ambicioz. Kjo bëri që ai të nxjerrë gazetën “Dielli”. Ai dha kontribut të madh për kishën shqiptare. Arkiva për Nolin ka në shumë vende, në Shqipëri, në Austri, Gjermani”, deklaroi Ikonomi.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb