Fiton vetëm Struga, humbin Shkëndija, Gostivari e Voska Sporti

1 year ago 58
Reklamë

E diela e xhiros së shtatë në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut ka rezultuar e mirë vetëm për Struga Trim Lum, të cilët triumfuan përballë Bregallnicës në Shtip, përderisa këtë xhiro me disfata e mbyllën Shkëndija, Gostivari dhe Voska Sporti.

Kampionët në fuqi triumfuan në transfertën e Shtipit, duke mundur Bregallnicën me tre golat e Bojkut, Ibraimit dhe Ukpas, ndërsa golin e vetëm për vendasit e realizoi Kalpaçki. Ndërkohë disfatë në minutat shtesë ka pësuar Shkëndija e Tetovës në Kratovë, kur u mposht me rezultat 2:1 nga Sileksi. Miloslavleviq shënoi golin e parë për ekipin nga Kratova, ndërsa Shkëndija barazoi me Caken në minutën e 90-të. Mirëpo skuadra e Ardian Nuhiut e pësoi golin e dytë në shtesat, me Llazereviq që shënoi për fitore të Sileksit, duke ia shkaktuar kështu disfatën e parë të sezonit, Shkëndijës.

Edhe dy ekipet tjera shqiptare nuk arritën që të regjistrojnë suksese. Voska Sporti u mund nga Rabotniçki me rezultat 2:0, përderisa me të njejtat shifra Gostivari u mposht nga Makedonija Gjorce Petrov.

Në ndeshjen tjetër të luajtur në Kavadar, Tikveshi triumfoi përballë Vardarit me shifra minimale 1:0.

Xhiroja e radhës në elitën e futbollit të Maqedonisë është në program me 24 shtator. /Telegrafi/

Read Entire Article