Një sulm i përgjakshëm në kampin Jabalia u ka marrë jetën mbi 100 palestinezëve. Dhjetëra të tjerë u plagosën ndërsa autoritetet dyshojnë se numri i viktimave mund të rritet gjatë orëve në vijim pasi ka shumë persona nën rrënoja.
Nuk ka pasur asnjë koment specifik nga Izraeli, i cili këmbëngul se po synon atë që e quan infrastrukturë terroriste. Jabalia është në veri të Gazës, një zonë ku, që nga ditët e para të luftës, Izraeli ka paralajmëruar njerëzit të largohen.
Ndërkaq një tjetër sulm izraelit me raketa në një shtëpi vrau 24 njerëz, ndërsa dhjetëra njerëz mbetën të plagosur. Luftimet e ashpra rreth spitaleve të Gazës i kanë nxjerrë jashtë shërbimit shumicën. OBSH e përshkruan situatën në spitalin al-Shifa një skenë të plotë tmerri dhe e quan shkatërrimin e spitalit Kamal Adwan të tmerrshëm. Të paktën tetë pacientë humbën jetën, duke përfshirë një 9-vjeçar dhe disa prej tyre kanë arritur që të largohen në këmbë sepse ambulancat nuk mund të arrinin në objekt. OKB-ja ka deklaruar se ushtria izraelite po bllokon qëllimisht dërgimin e ujit, ushqimit dhe karburantit, duke shkaktuar uri akute.
Ndërkaq edhe në Bregun e pushtuar Perëndimor dhjetëra palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim se Bregu Perëndimor mund të kthehet në një arenë të përgjakshme luftimesh. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka mbërritur në Izrael për të diskutuar me udhëheqjen izraelite operacionin ushtarak në Gaza. Vizita vjen në mes të presionit në rritje ndaj SHBA-së për mënyrën se si Izraeli po e drejton luftën, pasi intensiteti i fushatës së tij bombarduese në Gaza, e cila tashmë ka vrarë më shumë se 18,700 njerëz, nuk tregon asnjë shenjë të zbutjes.
Austin pritet të takohet me zyrtarët izraelitë se kur do të kalojnë në një fazë më pak intensive të konfliktit. Zyrtari amerikan paralajmëroi më parë se Izraeli rrezikonte një disfatë strategjike në Rripin e Gazës nëse nuk arrin të mbrojë civilët palestinezë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet për të votuar për një rezolutë të re që bën thirrje për pezullimin e luftimeve në Gaza. Projekt-rezoluta bën thirrje për një ndërprerje urgjente dhe të sulmeve për të lejuar akses të sigurt dhe të papenguar humanitar në Rripin e Gazës për popullsinë.
Klan News
Të ngjashme