“Fryhen” faturat/ Pagesat e papaguara të energjisë nga Ujësjellësit arrijnë në 300 milionë euro

3 months ago 12

Pavarësisht një plani masash për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike të vitit 2021, ujësjellësit vijojnë të kenë rreth 300 milionë euro borxh ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë.

Të dhënat e raportuara në buxhetin faktik 2023 tregojnë se totali i borxhit është 30.9 miliardë lekë, ku thuajse gjysma janë kamatëvonesa.

“Deri në Dhjetor 2023, OSHEE Group sh.a. raporton se detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rezultojnë të jenë në vlerën rreth 30.9 miliardë LEK. Nga këto, rreth 16 miliardë LEK janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe rreth 15 miliardë LEK janë detyrime për kamatëvonesa.

Nga totali i detyrimeve principal (pa kamatëvonesa), vetëm ndërmarrja e UK Durrës sh.a ka 5.46 miliardë LEK detyrime të akumuluara në vite” thuhet në raportin e buxhetit faktik.

Referuar të dhënave pas ndërmarrjes së Durrësit në renditje vjen ajo e Vlorës me 1.68 miliardë lekë, Patosi me 870 milionë lekë apo Fieri dhe Kavaja me respektivisht 790 milionë lekë dhe 770 milionë lekë. Në këtë vlerë nuk llogariten kamatëvonesat.

Detyrimet e prapambetura të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve ndaj kompanisë së energjisë u bënë shqetësuese pak vite më parë diçka që angazhoi si Ministrinë e Financave ashtu edhe atë të Energjisë dhe Infrastrukturës dhe hartonin një plan masash që do të synonte zerimin e këtij detyrimi.

Por duket se zhvillimet nuk kanë qenë në favor të reduktimit pasi situata post-Covid që solli efekt zinxhir në kosto, kriza e energjisë që nisi në 2021 dhe kulmoi në 2022 apo lufta Rusi-Ukrainë të gjitha ndikuan në mënyrë direkte apo indirekte.

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve prej vitesh ka shfaqur probleme jo vetëm me detyrimet e prapambetura ndaj energjisë por me humbjen në tërësi që shënojnë ndërmarrjet të cilat nuk mbulojnë dot kostot e tyre operative.

Kjo bëri që të ndërmerrej reforma e agregimit apo bashkimit të ujësjellësve duke krijuar ndërmarrje më të mëdha teksa ka vijuar miratimi i një sërë çmimeve të reja, me tendencë rritëse për disa prej tyre. Ende kjo reformë është në vijim dhe mbeten akoma ndërmarrje që duhet të finalizojnë bashkimin.

“Procesi i reformimit dhe riorganizimit të sektorit të Ujit vazhdon, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve 2020-2030.

Përmes kësaj reforme, në zbatim të VKM nr.302 datë 11.05.2022 “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, synohet ridimensionimi i 58 ndërmarrjeve U-K aktuale nëpërmjet rigrupimit të tyre në 15 shoqëri SKP-UK (Subjekte me Kompetenca të Përbashkëta) rajonale. Kjo, me qëllim rritjen e mirëmenaxhimit dhe performancës së tyre financiare, që pashmangshmërisht do të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme në dobi të mbarëvajtjes së proceseve të punës dhe sidomos shlyerjes së detyrimeve të akumuluara, duke siguruar kësisoj mos krijimin e tyre në të ardhmen” thuhet në raportin buxhetit faktik 2023. /Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article