Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka publikuar disa fotografi me mbështetës të Partisë Demokratike nga Roskoveci.
Bardhi shprehet se qeveria këtu ka punuar vetëm kundër interesave të qytetarëve. Sipas tij, zona është lënë në harresë, ndërsa thotë se PD është gati për betejë.
“Në Roskovec, ku strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, janë gati për betejën e rradhës. Kurrë nuk janë dorëzuar, kurrë nuk janë tërhequr, gjithmonë të vendosur për t’u përballur dhe për të fituar!
Roskoveci nuk është lënë vetëm jashtë vëmendjes së qeverisjes qëndrore, por është keqadministruar edhe nga qeverisja lokale, ku abuzimi me detyrën ka prevaluar mbi interesin e qytetarëve apo shërbimin ndaj tyre.
Shembulli më tipik për këtë është që në vend të mbështetjes për bujqësinë, në vend të mbështetjes për biznesin e vogël, pushteti qendror dhe ai lokal janë bërë bashkë kundër interesave të qytetarëve, në mbështetjen e interestave korruptive të ndërtimit të një TEC-i me impakt jashtëzakonisht negativ për mjedisin, jetën dhe shëndetin e banorëve. Duke qëndruar në krah të banorëve, mora menjëherë angazhimin për të mbledhur të gjitha faktet dhe për të kundërshtuar sot padrejtësinë që po u bëhet dhe për të anulluar nesër në qeverisje këtë projekt shkatërrues për zonën”, shkruan Bardhi.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb