“Të sillemi si bij të planetit, jo si zotër të tij”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali gjatë fjalës së mbajtur në takimin Parlamentar për Ndryshimet Klimatike në Azerbajxhan.
Spiropali tha se nuk duhen mbajtur më qëndrime asimetrike në përballimin e ndryshimeve klimatike.
Në fjalën e saj në panelin e sotëm “Roli i parlamenteve në realizimin e angazhimeve për klimën”, Spiropali nënvizoi se “Parlamentet luajnë një rol thelbësor në zhvillimin dhe zbatimin e kontributeve kombëtare, të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Parisit për të luftuar ndryshimet klimatike”.
Sipas saj, ato sigurojnë karakterin gjithëpërfshirës të procesit, konsolidojnë kuadrin ligjor, garantojnë mbështetje financiare, ushtrojnë kontrollin parlamentar dhe mbikëqyrin qeveritë në përmbushjen e angazhimeve dhe forcojnë dimensionin ndërkombëtar të bashkëpunimit për ndryshimet klimatike.
“Sot po përballemi me një pozicion asimetrik në përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike: Ekonomitë më të mëdha janë njëkohësisht dhe prodhuesit më të mëdhenj, konsumatorët më të mëdhenj, ndotësit më të mëdhenj të mjedisit dhe shkaktarët më të mëdhenj të ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ata nuk janë ende përgjegjësit dhe kontribuesit më të mëdhenj për ta ndryshuar e përmirësuar situatën.
Ne duhet të ndalojmë së qeni të mësuar vetëm të artikulojmë fjalë të bukura, por praktikisht nuk bëjmë asgjë dhe vazhdojmë të ndikojmë tek klima, të ndotim mjedisin dhe të vrasim planetin tonë. Duhet të veprojmë, jo vetëm të flasim. Ne nuk jetojmë në një botë ideale, por në një botë reale. Duhet të sillemi si bij të planetit, jo si zotër të tij.
Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar në përpjekjet globale, sipas Marrëveshjes së Parisit, duke i kthyer ambiciet kombëtare për klimën në veprime të prekshme, në disa sektorë kyç që mund të shkaktojnë ndryshimet klimaterike, si energji, bujqësi, menaxhimi i mbetjeve, proceset industriale etj”, tha Spiropali.
Ajo shtoi se Shqipëria i ka dhënë përparësi tranzicionit energjetik, si një faktor kyç i reduktimit të emetimeve. Aktivitetet prodhuese të vendit bazohen në energji 100 për qind të rinovueshme.
“Strategjia jonë afatgjatë përfshin rritjen e kapacitetit të energjisë së rinovueshme, duke vënë theksin tek energjia diellore dhe ajo e erës.
Në vitin 2023 Shqipëria u bë një eksportuese neto e energjisë së prodhuar në vend përmes hidrocentraleve dhe shpalli Lumin Vjosa si Parkun e parë Kombëtar të Lumenjve të Egër në Evropë, një hap novator që promovon praktika të zhvillimit të qëndrueshëm, ruan ekosistemet jetike dhe promovon turizmin miqësor ndaj mjedisit, i cili sjell përfitime për komunitetet vendore.
Shqipëria është fokusuar gjithashtu tek avancimi i masave të efiçencës së energjisë.
Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur një rol të përcaktues për kthimin e objektivave klimatike në masa ligjore. Ligjet dhe ndryshimet e fundit kanë forcuar kuadrin qeverisës mjedisor të Shqipërisë, duke siguruar mbikëqyrje më të fortë rregullatore dhe llogaridhënie. Kuvendi është angazhuar në formësimin e politikave të klimës, duke lehtësuar bashkëpunimin ndërministror dhe duke mbikëqyrur progresin e zbatimit të objektivave kombëtare për ndryshimet klimatike.
Shqipëria është e angazhuar të vijojë këto përpjekje, duke integruar teknologji të reja, duke nxitur partneritetet publik-privat, perspektivat rinore dhe gjinore, dhe karakterin gjithëpërfshirës të përpjekjeve për mbrojtjen e klimës dhe të planetit”, tha Spiropali.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb