Gjermania i premton Ukrainës ndihmë ushtarake prej 1.3 miliard eurosh

10 months ago 50

Gjermania është zotuar se do t’i japë Ukrainës ndihmë të re ushtarake në vlerë prej 1.3 miliard eurosh. Në paketën e re të ndihmës përfshihen edhe katër sisteme të fuqishme kundërajrore të llojit IRIS-T, dhe municione për artileri.

Kështu njoftoi në Kiev më 21 nëntor ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Gjermania është kontribuuesja e dytë më e madhe e ndihmës ushtarake për Kievin pas Shteteve të Bashkuara. Deri më tani, Berlini i ka dhënë Ukrainës tri sisteme moderne IRIS-T. Sistemi i fundit arriti në Ukrainë muajin e kaluar.

Pistorius qëndroi në Kiev më 21 nëntor në një vizitë të paparalajmëruar. Ai rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, teksa Kievi po vazhdon luftën kundër forcave ruse të cilat nisën pushtimin shkurtin e vitit të kaluar.

Vizita e ministrit gjerman në Ukrainë u zhvillua një ditë pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, vizitoi këtë shtet.

Po më 20 nëntor, SHBA-ja njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 100 milionë dollarësh.

Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarë që kur ka nisur lufta me Rusinë./ REL

Top Channel

Read Entire Article