Maratona e Tiranës, Luiza Gega thyen rekord: Të vraposh në Tiranë është një kënaqësi më vete

6 hours ago 33

Këtë të diel, është rikthyer edicioni i tetë i maratonës së Tiranës me rreth 5 mijë pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rreth 50 vende të botës që janë bërë pjesë e garës.

Në mesin e pjesëmarrësve në maratonën kryesore prej 42 km ishte edhe atletja Luiza Gega, e cila zurin vendin e parë, duke mbajtur rekordin kombëtar me 2 orë e 34 minuta.

Atletja Luiza Gega është shprehur e emocionuar pas përfundimit të garës, duke theksuar se ishte një sfidë e dyfishtë për të.

“Kur vijnë kilometrat e fundit, trupi pëson një shok. Të vraposh në Tiranë është një kënaqësi më vete. Njerëzit që të urojnë rrugës dhe bëjnë tifo për ty, të japin një forcë që ti nuk mendon se e ke”, tha atletja.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë fjalës së tij u shpreh se ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për kryeqytetin, ndërsa shtoi se shumë prej të huajve që kanë ardhur në Tiranë për maratonën kanë një motiv më shumë për t’u rikthyer vitin tjetër.

“Kemi pasur këtë vit një shans të jashtëzakonshëm. Bashkia e Tiranës ka qenë drejtuesja e gjithë bashkive të Ballkanit, B40. Vitin tjetër Tirana do të jetë kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Shumë prej atyre të huajve që kanë ardhur sot, kanë një justifikim të vijnë prapë, me familjet, të blejnë ndonjë apartament, të fillojnë të investojnë në Shqipëri. Sepse unë besoj që sa më shumë të zhvillohet Tirana, aq më shumë ngrihet gjithë Shqipëria dhe ecet përpara, tha Veliaj.

Garuesit e huaj u shprehën të kënaqur, ndërsa japin mesazhin që të gjithë të bëhen pjesë e Maratonës.

 “Impresioni im i parë për Tiranën, është qytet shumë i bukur, nga arkitektura tek koha, cdo gje e bukur. Atmosfera është shumë  e bukur qytet dhe gara po ashtu.  Mesazhi im është që të gjithë të vinë vitin tjetër, është një garë shumë e bukur, mos e humbisni. Sfida më e fortë që pata gjatë kësaj gare ishte, ngjitja në zonën malore dhe zbritja ishte pak e vështirë”, u shpreh një garues.

Gjatë këtij aktiviteti morën pjesë edhe persona me aftësi të kufizuara të cilët vrapuan, duke përcjellë mesazhe të fuqishme shprese dhe guximi. /vizionplus.tv

Read Entire Article