Gjici kërkon lirimin nga burgu, Gjykata e Elbasanit cakton 11 detyrat për ekspertët mjeko-ligjorë/ Ja çfarë u kërkohet

7 hours ago 26

Safet Gjici, ish-Kryebashkiak i Kukësit, ka kërkuar lirimin nga burgu, për shkak të gjendjes shëndetësore.

Gjici i dënuar me 3 vite burgim ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim të mbetur, ndërkohë aktualisht ai gjendet i hospitalizuar. Sipas avokatit, ish-kryebashkiaku i Kukësit vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.

Në anën tjetër tre ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që gjatë seancës për ish-kryebashkiakun Gjici, kanë bërë betimin para Gjykatëses së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, duhet të japin përgjigje për 11 pyetjet që i është drejtuar gjykata.
Në një njoftim zyrtar të Gjykatës, thuhet se ekspertëve Mjekoligjorë nga Gjykata janë caktuar detyrat:

1. A vuan shtetasi Safet Gjici nga ndonjë sëmundje, nëse po, paraqisni, një historik të sëmundjes së tij nga koha e arrestimit të tij e deri në datën e kryerjes së ekzaminimit objektiv dhe cila është diagnoza?

2. Cilat janë patologjitë që konstatohen tek kërkuesi Safet Gjici?

3. A vuan kërkuesi nga diabeti dhe nëse po, cila eshtë shkalla e sëmundjes, pasojat e shkaktuara, terapia e ndjekur, a ka qënë efektive ajo dhe cili është mjekimi më i përshtatshëm që rekomandohet?

4. A ka shkaktuar diabeti insufiçencë të organeve jetësore?

5. A vuan kërkuesi Safet Gjici nga probleme kardio-vaskulare dhe nëse po cila ёshtë diagnoza?

6. A ka pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore të kërkuesit Safet Gjici gjatë qëndrimit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, nëse po, a ka marrë trajtimin e përshtatshëm?

7. A van nga ndonjë sëmundje veçanërisht e rëndë, shtetasi Safet Gjici?

8. A ka nevojë kërkuesi për trajtim të specializuar dhe nëse po, a e ofron Institucioni Mjekësor ku ai është akomoduar këtё trajtim?

9. Në momentin e kryerjes së ekzaminimit objektiv, cila është gjëndja shëndetësore e kërkuesit, a është e tillë, që përben rrezik për jetën e kërkuesit?

10. Nëse po, cila është terapia efektive e përshtatshme për eleminimin e këtij rreziku dhe a e mundëson Institucioni Mjekësor ku gjendet aktualisht?

11. A rrezikohet jeta e kërkuesit nëse qëndron i izoluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale?

Gjykata autorizoi ekspertët të njhen me të gjitha aktet që janë pjesë e dosjes gjygësore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article