GJKKO ka pranuar kërkesën e ish-Kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj, për shuarjen e masës së sigurisë që vendosur ndaj saj. Balilaj ndodhej nën masën e sigurimit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, e cila ishte vendosur në mars 2024.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi më 20 maj përfundimin e hetimeve ndaj ish-kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, zëvendëses së saj, Anisa Petani, sekretarit të përgjithshëm në atë kohë, Shkëlqim Beqiraj, si dhe ndaj katër zyrtarëve të tjerë të akuzuar për paracaktimin e fituesve në dy tendera.
Balilaj drejtoi Bashkinë e Patosit për periudhën 2011-2023 dhe më pas u promovua në pozicionin e Prefektes së Qarkut Fier, funksion nga i cili u pezullua me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në muajin mars.
Njoftimi nga GJKKO
1. Kërkuesja Rajmonda Balilaj më datë 26.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Deklarimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit të caktuar me vendimin nr.19 datë 08.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr.30 datë 21.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe heqjen e menjëhershme të saj”, baza ligjore neni 262/2 dhe 267/2 i K.Pr.Penale.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela me vendimin Nr.466, datë 29.07.2024, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj të pandehurës Rajmonda Balilaj nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.19 datë 08.03.2024.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brënda 5 (pesë) ditëve, afat i cili fillon të llogaritet nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb