Gjykata vendos detyrim paraqitjeje për ish zyrtarin e AMP, Kushtrim Selimin/ Dosja e plotë

3 months ago 9

Ndaj Kushtrim Selimit, ish-zyrtar i AMP-së, gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërkohë që i ndalohet dalja jashtë vendit.

Gazetari Igli Çelmeta ka zbardhur për Balkanweb dosjen ndaj ish-zyrtarit, i cili dyshohet për falsifikim kompjuterik.

Selimi dyshohet se sponsorizonte një portal, i cili herë pas here publikonte shkrime që denigronin figurën e disa prej zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit si dhe AMP-së.

Në dosje, referuar dëshmisë së Regina Omerit, një tjetër ish-zyrtare e AMP-së, sqarohet edhe roli që ka pasur Kushtrim Selimi.

“Regina Omeri është pyetur se kush është arsyeja që Kushtrimi kërkonte dhe publikonte lajme të tilla në portalin Shqipneës.info dhe ka deklaruar se nuk e ka idenë se përse e bënte Kushtrimi një gjë të tillë, por në disa biseda të shkurtra që ka kryer me të pa interes nga ana e saj i bënte për arsye personale pune.

Është pyetur nëse ka dijeni për ndonjë person tjetër të përfshirë në administrimin, futjen ndryshimin apo fshirjen e të dhënave në portalin Shqipneës.Info dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni dhe as nuk ka qënë e interesuar që ta dinte. Siç ka deklaruar dhe më sipër di që me këtë portal merret Ervisi dhe lajmet ia dërgonte Kushtrimi”, thuhet ndër të tjera  në dosje.

Hetimet lidhur me publikimin e lajmeve apo shkrimeve kanë nisur pas denoncimit të bërë nga Dritan Pjetri, drejtues i AMP në Tiranë, figura e të cilir është denigruar nga portali në fjalë.

Gjithashtu dosja përfshin dëshminë e gazetarit, që është paguar me një pagë mujore 500 mijë lekë të vjetra,  për të publikuar shkrime apo artikuj, të botuar edhe nga media të tjera, ku sulmoheshin drejtuesit e Policisë së Shtetit, përfshi këtu edhe Neritan Nallbatin, Muhamet Rrumbullakun, Florjan Sulejmani, Rebani Jaupi etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article