Greqia miraton mes debatesh ligjin për martesat homoseksuale dhe birësimin e fëmijëve nga çiftet

8 months ago 5

Ligji i ri, i miratuar pas debatesh intensive, njeh martesën mes personave të të njëjtit seks dhe të drejtat e birësimit, por nuk lejon që çiftet e të njëjtit seks të kenë fëmijë nëpërmjet surrogacisë.

Nga Eleni Stamatoukou

Parlamenti i Greqisë, pavarësisht reagimeve të forta ndaj projektligjit, legalizoi martesën civile dhe lindjen e fëmijëve nga çiftet e të njëjtit seks në mesnatën e 15 shkurtit. Projektligji u miratua me 176 vota pro, 76 kundër dhe 31 abstenime.
“Kam marrë mesazhe të panumërta nga komuniteti LGBTI+. Duke iu drejtuar mijëra anëtarëve të tij, dua të them se e njoh di shumë mirë atë që ata kanë kaluar dhe po kalojnë gjatë rrjedhës së shumë brezave… Ata ishin fëmijë të një Zoti inferior”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

“Sot është ditë gëzimi sepse nga nesër një tjetër barrierë mes nesh do të hiqet për t’u bërë urë bashkëjetese në një shtet të lirë, me qytetarë të lirë”, shtoi ai.
Sipas projektligjit, Greqia njeh martesat e të njëjtit seks, u jep të drejta të plota prindërore çifteve të të njëjtit seks që tashmë kanë fëmijë dhe u lejon çifteve të të njëjtit seks të birësojnë fëmijë. Por nuk lejohet që çiftet e të njëjtit seks të kenë fëmijë nëpërmjet surrogacisë në të ardhmen.

Aktualisht, surrogacia lejohet vetëm për gratë, beqare ose të martuara, të cilat nuk mund të kenë fëmijë për arsye shëndetësore. Çiftet heteroseksuale dhe burrat dhe gratë beqare lejohen të birësojnë. Në debatin dyditor folën rreth 130 deputetë, duke përfshirë liderë politikë, raportues dhe përfaqësues parlamentar. Dimitris Koutsoumpas, kreu i Partisë Komuniste, KKE, shprehu kundërshtimin e tij, duke thënë se ligji i ri sjell ndryshime thelbësore në lindjen e fëmijëve dhe do të çojë në komercializim.

“Ligji nuk është as neutral, as i parëndësishëm dhe nuk zgjidh thjesht çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e fëmijëve që tashmë ekzistojnë me partnerin e prindit biologjik ose birësues, probleme që mund të zgjidhen në masë të madhe me kuadrin ligjor ekzistues. Përkundrazi, ai sjell ndryshime thelbësore në atë që ka të bëjë me lindjen dhe birësimin e fëmijëve në drejtim të një komercializimi edhe më të përgjithësuar”, tha ai. Koutsoumpas shtoi se KKE-ja e dënon armiqësinë ndaj njerëzve me orientim seksual të të njëjtit seks dhe gjithashtu ka paraqitur propozime specifike për mbrojtjen e çdo personi nga të gjitha llojet e diskriminimit. Projektligjin e propozoi qeveria konservatore e Demokracisë së Re. Kisha Ortodokse Greke foli kundër tij, duke thënë se ky ishte një hap drejt zhdukjes së prindërimit tradicional dhe “zhdukjes” së roleve gjinore.

“Nismëtarët e projektligjit dhe ata që janë dakord me të po promovojnë zhdukjen e atësisë dhe amësisë dhe shndërrimin e tyre në prindër neutral, zhdukjen e roleve gjinore brenda familjes dhe vendosjen e zgjedhjeve seksuale të të rriturve homoseksualë mbi interesat e fëmijëve të ardhshëm”, tha Sinodi i Shenjtë i Kishës më 23 janar. Tre partitë e ekstremit të djathtë, Ellyniki Lysi, Spartans dhe Niki, paraqitën kundërshtime për projektligjin, të cilat u refuzuan.

Qytetarë kundërshtues të projektligjit u mblodhën në sheshin Sintagma të Athinës më 15 shkurt, duke mbajtur kryqe, ikona dhe pankarta me sloganin “Atdhe – Fe – Familje”. Një analizë e BIRN për rregullimin e martesave të të njëjtit seks në Greqi mblodhi dëshmi nga familje LGBT të cilat thanë se projektligji ishte i shumëpritur, por se ai ende lë jashtë shumë kategori.

Read Entire Article