“Prova se Rama është i marrë peng nga bandat”, Bardhi reagon pas arrestimit të Cyrbjas: Shqipëria, vendi i parë në botë që qeveriset nga krimi i organizuar!

2 hours ago 134

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar pas arrestimit të ish-deputetit socialist Jurgis Cyrbja dhe zbulimit të akuzave nga SPAK, ku ndër të tjera thuhet se kërkoi ndihmën e krimit për t’u bërë deputet.

“Po ashtu nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se personi nën hetim J. Ç., në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim A. H., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale. I hetuari J.Ç., për shkak të funksionit të tij si deputet i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A.H., duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat. Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki.

Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjesim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë. Opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por Kryeministri i bandave ka bërtitur “shpifje, shpifje, shpifje”, dhe sot si gjithmonë pasi i provohet, fshihet dhe hesht!

Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to.

Kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article