Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka deklaruar se janë vrarë në një sulm ajror të paktën 70 njerëz në kampin e refugjatëve “Al-Maghazi”. Një zëdhënës tha se numri i të vdekurve ka mundësi që të rritet duke pasur parasysh numrin e madh të familjeve që jetojnë në zonë. Ministria e Shëndetësisë thotë se tre shtëpi u goditën në sulmin vonë gjatë të dielës.
Sipas zëdhënësit të ministrisë, Ashraf al-Qudra, një bllok banimi me popullsi të madhe u shkatërrua. Një baba tha se kishte humbur vajzën dhe nipërit e tij, duke shtuar se familja e tij kishte ikur nga veriu për siguri në Gazën Qendrore.
Nga ana tjetër, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze thotë se sulmet ajrore intensive izraelite kanë çuar në mbylljen e rrugëve kryesore midis Maghazi dhe dy kampeve të tjera të refugjatëve, Al-Bureij dhe Al-Nuseirat, duke penguar punën e ambulancave dhe ekipeve të shpëtimit.
Mediat izraelite dhe arabe kanë deklaruar se Egjipti, i cili kufizohet me Rripin e Gazës, ka paraqitur një propozim të ri për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit./tvklan.al
Të ngjashme