“Hetimin e ka bërë ekspertiza amerikane”, Ngjela: Politikanët e lartë të të dy krahëve në SPAK, u janë gjetur paratë ku i kanë futur

9 months ago 25

Sot në Shqipëri, të akuzuarit e politikës së lartë të dy krahëve, kot lodhen dhe llomotitin fjali bosh e jashtë kuptimit juridik, ata janë të kapur që të gjithë dhe do të shkojnë drejt proceseve penale në SPAK.
I.
Kjo është një kohë historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Akuzat për korrupsion kundrejt liderëve hajdutë që kanë dëmtuar edhe Shqipërinë, edhe shqiptarët, është në formim e sipër, dhe nuk ka kthim mbrapa. Hetimi është bërë nga ekspertiza amerikane, kurse pastrimi i politikës shqiptare nga të degraduatirit e korruptuar është domosdoshmëri edhe shqiptare, por edhe ndërkombëtare.
Të gjithë kanë qenë prej disa vitesh nën një survejim profesional shumë të sofistikuar, dhe provat janë gati. Edhe paratë u janë interceptuar nëpër vendet ku i kanë, por kanë filluar të tregojnë edhe të penduarit.
Politika ruse dhe ajo serbe ka bërë çmos që t’i ndihmojë vjedhësit e shqiptarëve dhe shitësit e interesit kombëtar, por tani ata e kuptuan që mbrojtja e tyre ishte një lodhje e kotë dhe një shpenzim i madh i shkuar dëm.
Por si do të ecë kjo çështje?
II.
Këta milionerë krimesh kot vërtiten si në skenën e një teatri primitiv. Koha politike këtë ecuri ka pasur në çdo vend i cili është ndeshur me krimin e abuzimit shtetëror.
Po SPAK, a e di që pastrimi i Shqipërisë nga korrupsioni primitiv dhe banditesk i të korruptuarëve të lartë të shtetit shqiptar është një kërkesë me domosdoshmëri historike? E di SPAK se krimi i korrupsionit masiv në Shqipëri ka dëbuar dhe po dëbën Shqiptarët nga Shqipëria? A e din SPAK që kjo reformë antikorrupsion që ka filluar me reformën në drejtësi është marrë përsipër nga politika e lartë në Uashington?
Për të gjitha këto shqiptarët po presin nga SPAK që, në funksion të luftës antikorrupsion, nuk duhet të bëjë asnjë lëshim. Koha nuk do të falë askënd nëse nuk punon me ndershmëri për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga një krim i shëmtuar që ka ushqyer antishqiptarizmin në Shqipëri.
Gjithkush duhet ta dijë se kjo reformë që ka nisur nuk do të kursejë asnjë të korruptuar që ka qenë ose është në pushtet dhe ka vjedhur shqiptarët duke abuzuar me pushtetin politik.
Sot të gjithë të korruptuarit janë të skeduar. Por koha nuk pret, dhe reforma antikorrupsion duhet të vijojë me shpejtësi.
Kudo duhet mobilizim antikorrupsion, sepse kjo sot është një detyrë historike për çështjen kombëtare.
Askush nuk do të shpëtojë, prandaj të korruptuarit le të shkojnë për ndihmë jo në Moskë, por edhe në planetin Mars, janë që të gjithë të likuiduar.
Po pushteti gjyqësor, a do t’i rezistojë blerjeve me oferta gjigante të të korruptuarëve të lartë të shtetit shqiptar?
III.
E pra, kryesorja është të pyesim: çfarë do të bëjë SPAK?
SPAK duhet të veprojë me energji. Të gjithë prokurorët e këtij instituti duhet ta kuptojnë që abuzimi i tyre mund të hapë një akuzë ndërkombëtare për ta, sepse ata që po ndërhyjnë, më të shumtit e tyre, të hedhur në aksion për të shkatërruar reformën antikorrupsion në Shqipëri, janë nga Beogradi dhe Moska.
Por asgjë nuk do të bëjnë dot; sepse politika amerikane dhe ekspertiza e saj juridike i ka marrë të gjitha masat dhe i ka që të gjitha provat.
Dhe koha tani ka ardhur. Dhe ajo po kërkon me ngut nga SPAK që të identifikohen botërisht emrat e të korruptuarëve të lartë që kanë hyrë ose do të hyjnë në një procedim penal për korrupsion.
Të gjithë sot duhet ta dinë që, të tërë ata të cilët me aftësi profesionale dhe ndershmëri profesionale do ta përfundojnë me sukses reformën antikorrupsion në Shqipëri, do të kenë vendin e tyre në historinë demokratike të Shqipërisë dhe sigurisht që do të krijojnë figurën e tyre historike, por që do të jenë edhe të shpërblyer me bujari nga shteti shqiptar e nga donacionet që ka dhënë e do të japë politika amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian, për eliminimin e korrupsionit makabër në Republikën e Shqipërisë.
Prisni dhe shikoni…

Top Channel

Read Entire Article