Komisioni Hetimor Parlamentar u mblodh këtë të premte, ndërsa nuk munguan debatet mes mazhorancës dhe opozitës.
Kreu i Komisionit, Ervin Salianji tha se ndërhyrja në sistemin TIMS është një nga momentet më të rënda të vendit, ndërsa kujtoi se Ervin Muça personi përgjegjës për marrjen e të dhënave, është rikthyer në detyrën e drejtorit të IT në Polici, 10 muaj pasi ishte pezulluar.
Muça, tha Salianji, ishte protagonist edhe në vjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve shqiptarë kur u publikuan listat e pagave në vitin 2021.
“Ky komision hetimor që në nisje të punës së tij, pavarësisht se ngjarja për të cilën jemi ngarkuar nga Kuvendi për të hetuar është një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vend, është ndërhyrja në TIMS e cila fatkeqësisht me ekspertizën e SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës është vërtetuar se ka patur ndërhyrje. Ervin Muça është arrestuar i cili siç e kemi diskutuar në mbledhjet e para të këtij komisioni, është ndër dëshmitarët e parë të thirrur. E pashpjegueshme se si për 10 muaj me radhë pasi është pezulluar nga e njëjta trupë në Polici është rikthyer duke qëndruar drejtor i IT në polici dhe duke vazhduar në paligjshmëri një person me precedent penal të mëparshëm dhe në shkelje të ligjit.
Në 21.12.2021 në WhatsApp janë shpërndarë masivisht listat e pagave të muajve janar dhe prill të vitit 2021 për 637 mijë qytetarë shqiptarë. Në 24 dhjetor 2021 dorëhiqet drejtori i IT te Tatimet i cili është hiç më pak se shtetasi Ervin Muça. Edhe pas këtij skandali, i listëpagesave dhe te ky që po hetojmë, dorëheqja ka ardhur si pasojë e veprimeve të paligjshme të këtij personi“, u shpreh Salianji.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb