Investigimi i Vetting/ Balluku “dirigjente” e tenderave, manovrat me tunelin e Llogarasë nga “arnimi” i projektit te fituesi që u shpall kompania e Evis Berberit, faktet e dyshimet për histori korrupsioni

6 months ago 3

Emisioni Vetting në News24

Tuneli i Llogarasë, gangrenë mjedisore dhe korruptive. Qeveria e ka konsideruar ligjërisht Qafën e Llogarasë si një nga zonat më të mbrojtura të vendit, por vetëm deri kur nisi ndërtimit i tunelit…

Zhurmat e makinerive të “Gjoka Konstruksion”, kompani e cila po ndërton si nënkontraktor tunelin e Llogarasë, nuk kanë nxjerrë në pah vetëm disa shkelje në procedurat e tenderimit të këtij tuneli, por edhe shkeljen e ligjit për Zonat e Mbrojtura, ku më i rrezikuari vijon të jetë Parku Natyror i Karaburunit. Të dyja shkeljet, ajo e Tunelit dhe e cenimit mjedisor të Parkut Natyror të Karaburunit, rezulton të kenë rrënjët dhe mbrojtjen në zyrat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. “Vetting” sjellë në këtë episod disa nga prapaskenat me shkeljet ligjore nga Ministria e Infrastrukturës për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një tender i organizuar dhe dirigjuar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Rreziku për parkun natyror të Karaburunit

Ajo që dallohet lehtësisht për ata që vizitojnë punimet në këtë Tunel është mungesa e monitorimit ndaj këtij projekti, që po zhbën dalëngadalë mjedisin dhe bukurinë e Parkut Natyror të Karaburunit. Ekspertët e Mjedisit janë të alarmuar nga ajo që po ndodh me mjedisin aty, por duket se fjalët e tyre prej kohësh kanë rënë në vesh të shurdhër.

Sipas ekspertit të mjedisit Olsi Nika: “Zonat e Mbrojtura gjithmonë janë nën presion sepse është një hapësirë, e cila në fakt presupozon lënien të pa shqetësuar nga ndërhyrjet e njeriut…dhe në këtë kontekst gjithmonë kanë qenë të kërcënuara…”

Por si nisi historia me tunelin e Llogarasë?

Më 19 Qershor 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapte garën ndërkombëtare për rishikimin e studimit të fizibilitetit dhe hartimin e projektit inxhinierik “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë” me fond limit 624 milionë lekë ose 6 milionë euro. Në garën për projektimin e tunelit morën pjesë 8 kompani, nga të cilat 6 u skualifikuan automatikisht nga Ministria e Infrastrukturës, për mosplotësim kushtesh.

Më tetor 2020, institucioni publik do të shpallte fitues konsorciumin e kompanive “SEED Consulting”, “InfraKonsult”, “iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh”, “ELEA iC d.o.o” dhe “IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring”, me ofertë 618 milionë lekë ose rreth 6 milionë euro.

Në garë u kualifikuan edhe bashkimi i kompanive “SWS Engineering ” spa , “LLAZO” sh.p.k dhe “NET-GROUP” me ofertë 540 milionë lekë. Kjo e fundit është kompania e Valter Begajt, ish-ortaku i ish-Drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, që të dy të arrestuar dhe nën hetim nga SPAK për tenderat e fituar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Pas përfundimit të garës për studimin e fizibilitetit, më 14 dhjetor 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapte garën për tenderin e parë për “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë) me fond limit 19 miliardë lekë ose 190 milionë euro.

Ky tunel parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 6 kilometrash dhe nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas përllogaritjeve, duke kaluar përmes këtij tuneli, me një shpejtësi 50-80 km/orë, koha për të kaluar nga një anë e Llogarasë në tjetrën do të jetë 7- 10 minuta. Tuneli do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij nga dy ura. Kalimi i automjeteve të transportit rrugor në këtë tunel do të jetë me pagesë.

Në dokumentet e tenderit të parë është specifikuar se kompania që do të shpallet fituese, do të ketë në dispozicion 37 muaj ose, një muaj më shumë se tre vite për të realizuar kontratën.

Por gara për tenderin, i cili më vonë do të anulohej, do të shfaqte indicet e para për korrupsion. “Vetting” sjell sot me fakte se si në këtë garë janë diskriminuar kompani që kanë fuqinë dhe eksperiencën për të realizuar projekte të tilla. Konkretisht, sipas dokumenteve, kompania garuese duhet të demonstrojë kapacitetin teknik për realizimin e tunelit, si dhe të plotësojë disa kushte specifike.

Në dokumente, kompanive garuese u kërkohet si kriter që të kenë përvojë të suksesshme për ndërtim urash në rrugë që përfshijnë minimalisht ndërtimin e 4 (katër) urave me gjatësi për urë prej të paktën 120 m.”

Në këtë fazë vjen edhe një pyetje e ngritur nga ekspertët: Përse një kompani garuese në këtë tender duhet të ketë ndërtuar patjetër një projekt me  4 ura, me gjatësi 120 m, kur projektin mund ta realizojë edhe nëse ka ndërtuar një urë me gjatësi 500 m?

Por, sipas ekspertëve, problemet në fushën e tenderave nuk janë risi dhe ka disa arsye që vazhdojnë këto probleme.  Pano Soko, ekspertit ekonomie deklaron se problemi me tenderat në Shqipëri, në 99 % të rasteve ka qenë korrupsioni.

“Tenderat që janë abuzuar sistematikisht vitet e fundit janë dy arsyeja. E para duke rregulluar termat e referencesë, temat e tenderit. Si rregullohen? Në të njëjtën mënyrë që një rrobaqepës që pret rrobën në përmasën e trupit të klientëve. Kështu rregullohen edhe tenderat. Përpilohen kushtet e tenderit që ato ta marri vetëm një kompani. Hartohen të tilla që të mos ketë asnjë tjetër konkurrentë, asnjë tjetër të mos futet vetëm të fitojë një kompani. Dhe e dyta këtu është normuar këtu që unë fitoj tenderin pa garë. Ne kemi sot më shumë se gjysmën e tenderave i ka fituar një kompani”, shpjegon për “Vetting, eksperti Pano Soko.

Vetë Ligji nr. 162/2020 i Prokurimeve Publike ka si synim të sigurojë mirë përdorimin e fondeve publike dhe të nxisë pjesëmarrjen e kompanive private në procedurat e tenderave. E thënë shkurt, të realizohen projektet sipas kushteve të përcaktuara me çmimin më ekonomik. Madje, sipas nenit 2 të këtij ligji, qëllimi është të sigurohet një trajtim i barabartë dhe jo diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik.

Por vetëm duke konstatuar kriteret specifike që janë vendosur te tenderi për ndërtimin e urave, gazetarët e “Vetting”kanë zbuluar faktin se kemi të bëjmë me shkelje të nenit 2 të ligjit të Prokurimeve Publike. Në fakt, kushtet diskriminuese të kontratës do të dilnin në sipërfaqe nga arnimet që iu bënë këtij tenderi nga institucioni.

Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës parashikonte dorëzimin e ofertave për ndërtimin e tunelit të Llogorasë me 12 shkurt 2021, por e shtyu këtë afat deri në 1 mars 2021. Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, Ministria ka bërë disa ndryshime përsa u takon kritereve për kompanitë që janë të interesuara për të marrë pjesë në garë.

Konkretisht, kanë ndodhur disa ndryshime në kapitullin 12, ku gjenden kushtet specifike të kualifikimit që lidhen me kapacitetet financiare dhe ekonomike.  Aty shpjegohet se për EBITDA-n, që është fitimi përpara interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit, për pesë vitet e fundit, pra për periudhën 2015-2019, ishte vendosur një shifër prej 50 milionë eurosh. Në këtë rast, ky kriter është ndryshuar dhe është ulur në 20 milionë euro.

Por Ministria nuk është ndalur me kaq, pasi ka vendosur edhe sqarime të tjera për pjesën e realizimit të një projekti të ngjashëm. Nëse në fillim të tenderit kërkohej që kompanitë të provonin se në 5 vitet e fundit kishin ndërtuar një gjatësi prej 8 kilometrash tunel, atyre, në arnimin e projektit, u kërkohet të provojnë se projektin e kanë zbatuar me një afat prej 3 vitesh.

Megjithatë, grupi i prokurimit të tenderit nën drejtimin e ministres Balluku nuk është ndalur me kaq. Nëse në fillim të projektit kërkohej që kompania të kishte realizuar punë të ngjashme me një vlerë sa 70% e fondit limit të kontratës, ajo ulet në 50% të fondit limit të kontratës.

Pra, kompania duhet të ketë realizuar projekte me vlerë 9,5 miliardë lekë ose 95 milionë euro gjatë 5 viteve të fundit. Edhe pse Ministria ndryshoi kushtet, përsëri asnjëra nga kompanitë nuk arriti që të shpallej fituese për këtë projekt.

Një muaj më pas, në prill 2021, Ministria e Infrastrukturës do të anulonte tenderin pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nga kompanitë nuk përputhej me kriteret e përcaktuara te dokumentet.

Por kjo nuk është hera e parë që tenderat e mëdhenj prodhojnë situata të tilla, të ndryshimeve të mëdha, që shpesh përkojnë vetëm me kërkesat që vijnë nga vetë grupet e interesit. Dyshimet për korrupsion me fondet publike përforcohen nga ndryshimi i dokumenteve, por edhe nga zgjatja e afateve të këtij tenderi.

“Këto janë normuar, janë bërë brenda ligjit, ç’ka operon i gjithë sistemi. Korrupsioni nuk është se bëhet në nivelin e këtyre poshtë në kurriz të atyre lart. Po ndërtohet e gjithë infrastruktura nga ata lart, ata që miratojnë VKM-tw, ata që nxjerrin miratojnë akte normative. Ata ndërtojnë arkitekturën e ata poshtë e vënë në zbatim. Por atë arkitekturë që kanë miratuar këta lart. Ne e kemi korrupsionin në sistem, e kemi që në rrënjë”, deklaron Pano Soko për “Vetting”.

Tenderi Fitues Open DataTenderi Fitues Open Data

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article