Investigimi i Vetting zbulon skandalin ndërkombëtar, shtetet e përfshira në aferën e mbetjeve. Çfarë ka ndodhur me lëndët e rrezikshme që gjeneron industria e rëndë

1 month ago 32

Transporti i mbetjeve të rrezikshme drejt vendeve aziatike vijon të mbajë Shqipërinë në qendër të lajmeve dhe vëzhgimeve ndërkombëtare, ndërkohë që institucionet shtetërore i kalojnë përgjegjësitë njëra-tjetrës.

Nga ajo që “Vetting” ka ndjekur dhe më parë, rezulton se rrjeti i trafikimit të mbetjeve është shumë i sofistikuar, ndërkohë që institucionet që duhet të monitorojnë heshtin shpesh nuk kanë përgjigje për pyetjet që kanë lindur pas anijeve të nisura si eksporti i paligjshëm nga Porti i Durrësit.

Sipas kryetarit të partisë “Mundësia” njëkohësisht edhe deputetit Agron Shehaj, institucionet nuk bëjnë transparencë.

“Ka mbi dy muaj që është ngritur alarmi dhe nuk kemi asnjë përgjigje nga institucionet shqiptare se çfarë po ndodh, sa mbetje toksike prodhohen, ku shkojnë, nuk kemi absolutisht asnjë përgjigje”, shprehet Shehaj.

Ndërsa gazetari Gjergj Thanasi për emisionin “Vetting” shprehet se “ky trafik me patjetër ka nevojë për një përkrahje të madhe shtetërore, pra nuk e ka bërë me kokë të vet kapteri te porti, apo doganieri i thjeshtë me kokë të vet”.

E me gjithë mos përgjigjet për trafikimin e mbetjeve toksike, problemi për mjedisin dhe shëndetin publik rëndohet. Madje, në debatin publik dhe në prononcimin e paktë të institucioneve gjithçka duket se synon të spostojë pyetjen se ku shkojnë këto mbetje.

Madje është ngritur dhe hipoteza “a janë vërtet mbetjet e rrezikshme toksike?”

Në një prononcim të saj ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro shprehet: “Modeli që ne kemi, nuk e kemi shpikur ne, është modeli europian i mbetjeve të rrezikshme dhe të parrezikshme. Kujdes! Të rrezikshme nuk do të thotë automatikisht toksike sepse shoh që ka një konfuzion në media dhe ka një abuzim dhe duke krijuar dhe një lloj paniku të pavend”.

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (EPA) mbetjet toksike janë mbetje “që janë të dëmshme ose fatale për organizmat e gjallë kur absorbohen ose gëlltiten”. Mbetjet e rrezikshme janë niveli më i ulët i substancave potencialisht të dëmshme, toksike është më e lartë.

“Mbetjet e rrezikshme mund të jenë, por nuk janë domosdoshmërish toksike”, shkruan Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA.

Kur këto mbetje nuk eliminohen, nuk eksportohen ose nuk përpunohen siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri, por ekspozohen nën trysninë e shiut, erës dhe tokës kthehen në mbetje toksike me rrezikshmëri maksimale.

Sipas ekpertit të mjedist Abdulla Diku: “Përmbajtja e metaleve të rënda në tokë, i bën ato shumë toksike, shumë të dëmshme, së pari për mjedisin, por në fund ne si pjesë e fundit të zinxhirit ushqimor të gjithë ekosistemit natyror i vuajmë ne”.

Sipas ekspertëve dhe aktivistëve mjedisorë, mbetjet e rrezikshme janë një minë me sahat nëse neglizhohen nga subjektet që i gjenerojnë dhe agjencitë e mjedisit.

Ambjentalisti Lavdosh Ferruni për “Vetting” shprehet se “efekti i tyre nuk është momental, nuk është i menjëhershëm, është gradual dhe kjo është më e keqja, pra akumulohet aty dhe shpërthen mbas disa vitesh. Kjo është tipike sidomos për këto metalet e rënda “Vetting” ka kryer një investigim ku zbulon se çfarë ka ndodhur me mbetjet e rrezikshme që gjenerojnë industritë e nxjerrjes, përpunimit të hidrokarbureve dhe industrisë së rëndë, të cilat kanë lidhje me skandalin ndërkombëtar të mbetjeve, që shtrihen në Kosovë, Serbi e deri në Zvicër.

Shifrat përmbysin Ministrinë e Mjedisit
Ndërkohë, pavarësisht devijimit apo jo të debatit, “Vetting” ka faktuar se, vetëm vitin e kaluar, Shqipëria gjeneroi 39 mijë tonë mbetjesh të rrezikshme, duke përjashtuar mbetjet e rrezikshme spitalore, të cilat u kalohen kompanive private nëpërmjet tenderave publikë.

Sot që flasim, Shqipëria nuk ka asnjë impiant incenerimi ose asgjësimi të mbetjeve toksike, duke ngritur shqetësimin se ku shkojnë mbetjet toksike që paraqesin rrezik të përhershëm për ekosistemin dhe shëndetin e njeriut.

Por çfarë thotë ligji për trajtimin e këtyre mbetjeve?

Sipas Ligjit 10463/2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, mbetjet e rrezikshme trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, riciklimit dhe asgjësimit. Sipas procedurave ligjore, mbetjet e rrezikshme nuk duhet të  ruhen në vend depozitime për një periudhë më të gjatë se 1 vit në  qoftë se ato janë cilësuar për asgjësim ose jo më shumë se 3 vjet nëse ato janë të paracaktuara për riciklim/trajtim.

LigjiLigji

Pra, mijëra tonë mbetjesh nga industria e hidrokarbureve dhe industrisë së rëndë nuk mund të lihen më shumë se një vit në një vend pasi paraqesin rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.

Duke hulumtuar dokumente nga Ministria e Mjedisit dhe Doganat, “Vetting” ka faktuar se mbetjet toksike nuk përpunohen apo eksportohen sa duhet, investigim që ka nisur me episodin e kaluar “Trafiku i mbetjeve të rrezikshme”.

Abdulla Diku eksperti i mjedisit për “Vetting” shprehet se “Deri më sot nuk është marrë asnjë masë domethënëse për të ulur ndotjen, së dyti, masa përmirësuese për ta zbutur sadopak atë ndotje, si në tokë, në ujë, në ajër dhe si e tillë e bën të pamundur në një kohë të shkurtër e një mase të tillë.”

Për “Vetting”, eksperti i mjedisit shpjegon se në vendin tonë nuk është bërë një planifikim se çfarë do të bëhet me mbetjet, ku do të shkojnë dhe si do të përpunohen. “Është njëlloj sikur kemi menduar të bëjmë një shtëpi, por kemi harruar të bëjmë banjën, në analogji po themi.”

Sipas aktivistit mjedisor, Lavdosh Ferruni, menaxhimi i mbetjeve të rrezikshme duhet programuar në plane afatgjatë, pasi aty fshihen edhe pasojat. Sipas tij “dëmtimi është kumulativ i metaleve të rënda që janë prezente të paktën për rastin që diskutohet tani dhe mbetje të tjera që konsiderohen të rrezikshme kanë efekt afatgjatë në shëndetin e njeriut që vijnë nëpërmjet bimëve, nëpërmjet ujit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article