Investimi për rrjetin e ri të ujësjellësit në Elbasan, Balluku: Inovacioni si instrument për të ulur kostot dhe rritur cilësinë

10 months ago 10

Në Elbasan kanë nisur punimet për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit dhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve. Një tjetër investim i rëndësishëm, pjesë e Programit Infrastruktura Bashkiake V, i cili do të transformojë cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e këtij qyteti.

Projekti përfshinë rehabilitimin e rrjetit primar dhe rrjetit sekondar e terciar, ndërtimin e zonave të Matjes dhe të Presionit, lidhjen e abonentëve familjarë, bizneseve dhe enteve publike me ujëmatësa.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtorit i AKUK, Klevis Jahja ishin në zonën e Krastës ku tashmë kanë nisur punimet.

Duke ju referuar situatës në qytetin e Elbasanit, drejtori Jahja bëri të ditur se “ku do të përdoret një model hidraulik të cilin ne e kemi pasur të suksesshëm edhe në qytete të tjera si Korça, Pogradeci dhe Lezha për të furnizuar qytetin me 24 orë ujë. Kjo është një vepër e cila ka degraduar me kalimin e kohës. Fillimi i këtyre punimeve do të sigurojë për zonën të cilën prek investimi 24 orë ujë furnizim. Preken 49 mijë qytetarë dhe preket e gjithë infrastruktura”.

Ministrja Balluku shprehu falënderimet për KFW edhe SECO, dy partnerët dhe mbështetësit e Qeverisë Shqiptare sa i takon investimeve në ujësjellës-kanalizime, duke theksuar se u trashëgua një sistem ujësjellësi të amortizuar dhe me shumë problematika, por që ndërhyrjet e kryera të cilat kanë prekur pothuajse të gjithë vendin, kanë ndryshuar situatën në këtë sektor.

“Ashtu si energjia elektrike edhe uji ka kostot e veta të transmetimit dhe të shpërndarjes, por unë besoj që është bërë një punë e mirë nga AKUK edhe nga partnerët tanë siç është SECO dhe KFW me informimin e të gjithë popullatës përsa i përket angazhimit të Qeverisë Shqiptare për të investuar tek sistemet e shpërndarjes së ujit, por edhe sistemet e kanalizimeve”, tha Balluku, duke shtuar se investimet në sektor do të vijojnë edhe në zona të tjera.

Përmirësimi i cilësisë së furnizimit për të gjithë qytetarët, kudo ku ata ndodhen, është objektivi kryesor i Qeverisë Shqiptare, por sigurisht duke ulur edhe kostot për shoqëritë. “Përveç agregimit, përveç shëndoshjes së sistemit nga ana financiare, përveç mirë funksionimit që ndërmarrjet po e tregojnë sot, inovacioni do të jetë një nga instrumentet e tjerë që ne do të përdorim përsa i përket ujësjellës-kanalizimeve. Dhe kur themi inovacioni fillojmë me inovacionin energjetik. Ne i kemi disa raste suksesi dhe do të vazhdojmë që të gjejmë një instrument sesi mund të mbështesim ndërmarrjet për të filluar dhe për të qenë auto prodhues të energjisë, gjë që është shumë e rëndësishme”, deklaroi Balluku.

Investimi i nisur në Bashkinë e Elbasanit përfshinë zonat Puset e Krastës së Vogël, Mengelit dhe Frigoriferit.

Read Entire Article