Raketat e sofistikuara lundruese tashmë i janë shtuar arsenalit të marinës së Iranit.
Raketat e llojit Talaiyeh dhe Nasir, prodhim vendas, arritën në bazën detare afër Oqeanit Indian në qytetin-port të Konarkut, që gjendet rreth 1.400 kilometra në juglindje të kryeqytetit të Teheranit.
Prezantimi i raketave nga forcat Detare u bë menjëherë pasi ushtria amerikane fajësoi Iranin për një sulm me dron të ndodhur mbi një anije cisternë në Oqeanin Indian.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, krahas raketave marinës I janë shtuar dhe disa drone si dhe një sistem lokalizues nëndetësesh. Komandanti i forcave detare, Shahram Irani, tha se raketat Talaiyeh kanë një reze veprimi prej mbi 1.000 kilometrash.
Ndërsa ato Nasir deri në 100 kilometra, por kanë aftësi shumë të avancuara. Irani, që zotëron një nga programet më të mëdha raketore në Lindjen e Mesme, pohon se raketat e tij mund të arrijnë në Izrael dhe bazat amerikane në rajon.
Pavarësisht kundërshtimit nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, Teherani ka ripohuar synimin për të vazhduar me zhvillimin e programit të tij raketor “mbrojtës”.
Top Channel