Historia e një të dënuari për plagosje në burgun e Shën Kollit që ka treguar jetë e tij të vështirë, është bërë sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’ në News24, të moderatores Evis Ahmeti.
49-vjeçari Njazi Bega teksa pohoi se ishte dënuar me 9 vite burg për plagosje, rrëfen se për shkak të ngarkesës psikologjike dëmtoi xhamin e një makine në parkim, por qe sipas tij ai u akuzua për plagosje me dashje. Ai rrëfeu se jeta dhe problemet mes tij dhe ish-bashkëshortes e çuan atë në divorc që prej vitit 2006.
49-vjeçari tregoi mes të tjerash se ka dy djem, një 24 dhe tjetri 20, por fëmijët nuk i flasin dhe as e takojnë kurrë në burg. Ai nga ambientet e qelisë i bëri një thirrje fëmijëve të tij që nëse kanë dëshirë të shkojnë dhe ta takojnë. Madje ai tregoi një episod të rëndë, ndërsa shtoi se ish-bashkëshortja e tij i kishte dhunuar fëmijët me kabllo, pasi këta të fundit tregonin se çfarë ndodhte në familje me ta.
“Nuk e kam torturuar por ajo nuk ka dashur të jetojë me mua. Nuk ka ardhur asnjëherë. As fëmijët jo. Nuk kam asnjë kontakt. Njëri ishte 2 dhe tjetri 4 vjeç kur u divorcuam. Kur u dënova ishin 14 dhe tjetri 9. I takoja pas divorcit, iu jepja nga 2 mijë lekë se aq kisha. Njerëzit e ish-bashkëshortes dhe ajo vetë i flasin keq për mua. Madje fëmijët tanë ajo i rrihte ata me kabllo. Sot djemtë janë të rritur. Unë s’po them që të duan mamanë e tyre, por mua më ka thënë vetë fëmija; më ka rrahur mami me kabull. Na kanë njohur. Ajo jetonte në Valias. Unë vija nga një familje me prindër të divorcuar. Në burg s’më viziton askush! Vetëm një motër që kam në Kukës vjen rrallë dhe më takon në burg. Djemtë më mungojnë shumë, edhe pse ata nuk duan ta besojnë. Ndaj gruas nuk kam ushtruar dhunë, mund të jemi qëlluar. I dua shumë fëmijët e mi. I them; nëse e doni babin, hajde takojeni. Nëse s’më doni, shikoni jetën tuaj!”, tha ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb