Ish – zv. ministri i MPB-së ‘zbulon’ strategjinë e Vuçiqit: Kështu dëshiron Serbia të përvetësoj veriun dhe të themelojë Asociacionin

9 months ago 23

Ish - zëvendës ministri i MPB-së, dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava e ka komentuar situatën politike në vend, konkretisht në veriun e Kosovës.

Tërnava thotë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq me nacionalizmin e tij të tepruar po dëshiron të realizojë qëndirmin e tij si nacionalist serb për të përvetësuar pjesën veriore të Kosovës.

Ai shton se Vuçiqi pos kësaj po e dëshiron edhe asociacionin të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje.

Sipas tij, me këtë veprim Vuçiqi dëshiron që ta bind popullin serb se ai është kryetari i duhur i Serbisë dhe që i duhet gjatë qeverisjes atje.

“Ai dëshiron të mbahet mend si njeriu që edhe pasi Kosova e shpalli pavarësinë e saj në kufijt e Kushtetutës 1974 e që e njohën mbi 118 shtete, ai arriti që t’ia kthej Serbisë këtë pjesë të rëndësishme të Kosovës”, shprehet Tërnava.

Eksperti këtë e quan çmenduri politike e nacional shoviniste të Vuçiqit.

“Ish shërbëtori besnik i Millosheviqit, është duke e përdorë strategjinë e tensionimit të situatës në veri dhe presionin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si mjet për shpërqendrimin e vëmendjes së qeverisë së Kosovës për kushtëzimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes edhe me futjen ne agjendë të përgjegjësisë për krimet serbe të luftës, për zbardhjen e fatit të personave të pa gjetur dhe kompensimin e dëmeve, jo vetëm atyre materiale, por edhe morale, që janë viktimat e dhunës seksuale”, thotë ai.

Sipas Tërnavës, një nga pikat kryesore të marrëveshjes së Ohrit është edhe tema e krimeve serbe të luftës, zbardhja e fatit të të pagjeturve, zbulimi, identifikimi dhe kthimi i trupave e mbetjeve mortore në Kosovë, proces që duhet të realizohet me hapjen e arkivave të ushtrisë dhe policisë serbe, dëshmi kjo që automatikisht adreson pa asnjë dilemë edhe peshën ndërkombëtare të përgjegjësisë për krimin dhe gjenocidin serb të ushtruar ndaj popullësisë së pafajshme në Kosovë, me qëllim të spastrimit etnik.

“Gjithsesi se duhet t’i shërben Qeverisë së Kosovës kjo taktikë e paramenduar e qeverisë në Beograd për të vazhduar akoma më seriozisht dhe urgjentisht, për ta finalizuar faturën e dokumentuar të krimeve të luftës dhe padinë ndërkombëtare për krimet dhe gjenocidin e ushtruar, nga një shtet në krye të të cilit gjendet njeriu kryesor i ish regjimit të Millosheviqit dhe i cili bartë mbi vete edhe sot këtë barrë të trashëguar e të papastruar”, thekson ai.

Ai pohon se, derisa të qëndron Vuçiqi në krye të Serbisë, vështirë se do të vjen deri te një pajtim.

“Prandaj Serbia me këtë udhëheqës dhe të tjerë si ky që e udhëheqin shtetin e tyre, vështirë e ka të prosperoj me shtetet demokratike ndërkombëtare. Udhëheqësit e Kosovës duhet në çdo kohë t’i mbrojnë interesat e tyre shtetërore dhe të punojnë në harmoni me ligjet dhe Kushtetuten e Kosovës”, përfundon Hajrullah Tërnava.

comment

Read Entire Article