Izraeli dhe Hamasi pohojnë afrimin e marrëveshjes për pengjet

10 months ago 9
22:02 21/11/2023

Hamasi do të lirojë 50 gra dhe fëmijë, izraeli do të lirojë nga burgjet 150 të burgosur palestinezë

Nga të gjitha palët po flitet me optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje fillestare për lirimin e pengjeve, shkëmbimin me të burgosur palestinezë dhe një armëpushim katër ose pesëditor në Gaza.

Udhëheqësi i Hamasit tha të martën se marrëveshja e armëpushimit me Izraelin është afër dhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se shpreson për lajme të mira së shpejti për pengjet, sinjalet më optimiste deri më tani për një marrëveshje për të ndalur luftën në Gaza dhe për të liruar robërit.

Anëtari i Byrosë Politike i Hamasit Khalil El-Hayya ishte ndër të parët zyrtarë që dha hollësi teknike.

“Sipas armëpushimit, civilët do të shkëmbehen me gra dhe fëmijë që ndodhen në burgjet e pushtuesit. Ne besojmë se ajo që është në tryezë sot do të hapë rrugën për të arritur një armëpushim.”

Një burim i njohur me negociatat tha se Hamasi do të lirojë 50 gra dhe fëmijë, përfshirë disa të huaj, ndërsa Izraeli do të lirojë nga burgjet 150 të burgosur palestinezë, kryesisht gra dhe të mitur, gjatë një armëpushimi katërditor.

Nëse këto synime të palëve arrihen, atëherë do të shënohet armëpushimi i parë i luftës gjashtëjavore dhe lirimi i parë masiv i atyre që mbahen robër ose në burgje. Një zyrtar i Hamasit i tha televizionit Al Jazeera më herët se negociatat janë të përqendruara në atë se sa do të zgjasë armëpushimi, marrëveshjet për dërgimin e ndihmave në Gaza dhe detajet e shkëmbimit të robërve.

Kabineti i luftës i Izraelit u mblodh të martën në mbrëmje. Nëse arrihet marrëveshja ai duhet të miratojë lirimin e të burgosurve palestinezë. Një zyrtar i lartë izraelit, duke folur për BBC-në, tha se marrëveshja do të përfshijë lirimin nga Hamasi të rreth 12 pengjeve në ditë, duke arritur deri në 50, në këmbim të një armëpushimi katërditor. Diku tjetër, është raportuar se Izraeli do të lirojë deri në 150 të burgosur palestinezë.

Zyrtari i lartë izraelit tha se të gjitha organet e sigurisë, si Forca Izraelite e Mbrojtjes, agjencia e zbulimit Mossad dhe agjencia vendase e kundërzbulimit Shin Bet, janë pro marrëveshjes.

Shpresa edhe në Uashington. Presidenti i ShBA-së Joe Biden u tha gazetarëve se marrëveshje për lirimin e disa pengjeve është shumë afër.

“Ekipi im është në rajon duke u zhvendosur midis kryeqyteteve. Tani jemi shumë afër, shumë afër, për të sjellë disa prej këtyre pengjeve në shtëpi, shumë shpejt.”

Marrëveshja për armëpushim diskutohet ndërsa ushtria izraelite ka “përfunduar rrethimin” e qytetit verior të Gazës, Jabalya.

Klan News


Read Entire Article