Izraeli vazhdon të bombardojë Gazën prej tri fronteve

10 months ago 9

Ushtria e Izraelit e ka sulmuar qendrën e Gazës prej tokës, detit dhe ajrit, teksa autoritetet palestineze kanë raportuar për dhjetëra vdekje tjera.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se mijëra njerëz janë duke tentuar t’iu ikin luftimeve.

Izraeli vazhdon të jetë i vendosur për të shkatërruar Hamasin, pas sulmeve të grupit, më 7 tetor, në jug të Izraelit, pavarësisht thirrjeve për armëpushim ndërkombëtar dhe mospërkeqësim edhe të madh të krizës humanitare në Rripin e Gazës.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Aeroplanët izraelitë kanë kryer tri sulme në qendër të Gazës, duke vrarë shtatë njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, kanë thënë mjekët në orët e vona të së mërkurës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se stafi i saj ka parë dhjetëra mijëra njerëz duke iu ikur sulmeve në Han Junis në këmbë, me gomarë, apo me makina.

Tendat e improvizuara janë duke u ndërtuar nëpër qoshe të rrugëve.

Në frontin diplomatik, ku po rritet presioni ndaj Izraelit, presidenti francez, Emmanuel Macron i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që duhet të punohet drejt një armëpushimi afatgjatë, me ndihmën e partnerëve rajonalë dhe atyre ndërkombëtarë, ka thënë Presidenca franceze.

Lufta në Gazë ka shpërthyer pas Hamasi ka vrarë 1.200 njerëz dhe i ka marrë 240 pengje në sulmet në jug të Izraelit, më 7 tetor – njëherësh sulmi më i rëndë në historinë e shtetit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 21.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 55.000 janë plagosur si pasojë e ofensivës izraelite.

Deri më tani besohet se të gjithë 2.3 milionë banorët e Gazës janë detyruar të largohen prej shtëpive të tyre. /REL/

Read Entire Article