Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u shpreh se opozita do të protestojë sërish para bashkisë së Tiranës.
Përmes një shënimi të gjatë në rrjetet sociale, Këlliçi deklaron se akuzat që rëndojnë ndaj zyrtarëve të bashkisë dhe kryebashkiakut Veliaj nuk janë vetëm ato të dosjes “5D”.
Këlliçi akuzon Veliajn edhe për shkatërrimin e banesave në disa lagje të kryeqytetit për t’i kthyer ato në sheshe ndërtimi si dhe katet pa leje te kullat që zyrtarët nuk i shohin.
Postimi i plotë
Dje ishte festa e Fiter Bajramit dhe kryetari i bashkisë bëri atë që ka bërë më mirë gjatë gjithë kësaj kohe. Veshi përparësen e vet të preferuar dhe u shërbeu njerëzve në nevojë çorbën e hipokrizisë së tij. Ai tha madje se Muaji i Ramazanit për të kishte qenë një kohë reflektimi, për gabimet e vogla që ishin bërë, ndërsa kishte bërë mijëra punë të mëdha… Po Erion Veliaj, ti duhet të reflektosh, por jo nga zyra ku ke firmosur, jo si pasojë e gabimeve, por si pasojë e planeve të paramenduara për të zhvatur qindra miliona euro nga taksat e atyre që sot i mëshiron me një garuzhde supë. Ti duhet të reflektosh nga një vend tjetër, ku do të kesh kohë më bollëk të mendohesh dhe të lexosh Kuranin e Biblën, dhe ku do të kuptosh se çfarë i dallon njerëzit e mirë e të ndershëm nga ata që vjedhin dhe mashtrojnë.
Pak ditë më parë i dolët në mbrojtje drejtorëve të kompanisë së famshme “5D”. Madje ishe krenar për punët e mira që kishin bëra ata. Në fakt puna e mirë që ka bërë Maringlen Qato ka qenë të prishë shtëpitë e banorëve dhe ti hedhë ata në rrugë pa asnjë bonus dhe asnjë alternativë strehimi. Në emër të veprave publike, janë shkatërruar banesa tek “Myslym Keta”, tek “5 Maji”, në Kombinat, tek “Astiri”, për të krijuar troje të lira për projektet e kompanisë së drejtorëve të korruptuar dhe biznesve të oborrit të bashkisë.
Këtu përballë bashkisë është një kullë. Ka 7 kate pa leje. As Qato dhe Veliaj nuk e kanë parë. Por nëse një fshatar në Zall Bastar apo Baldushk, ndërron tjegullat e thyera të çatisë apo do të ndreqë kasollen e lopës, Qato dhe të gjithë qatot e bandës së bashkisë, do t’i ndjekin këmba këmbës derisa ti fusin në burg, ose të paguajnë haraçin tek banda. Ndërsa qyteti, si pasojë e këtij menaxhimi prej Qatosh, po rëndohet nga muaji në muaj në një xhungël të pabanueshme. Përtej sheshit Skënderbej dhe bulevardit, Tirana është një qytet i pa jetueshëm. Pa parqe, pa hapësira publike, pa teatër, pa cirk, pa mjedise argëtimi dhe edukimi për fëmijë. Gjithçka është në shërbim të betonit.
Ndërsa zyra e propagandës nxjerr nga arkivi foto të vjetra të qytetit dhe ua shpërndan medieve të huaja për të shoqëruar shkrimet e paguara që tregojnë se Tirana është qyteti që po shpërthen nga zhvillimi… Kjo hipokrizi, kjo vjedhje, kjo tallje me Tiranën duhet të marrë fund një orë e më parë. Falenderoj përzemërsisht qytetarët e Tiranës që dolën sot në protestën e thërritur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Opozita.
Falenderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për qëndresën e tyre epike 7 vjeçare dhe për faktin që banditët e strehuar në bashki, kanë nisur ti kallëzojnë në SPAK që para 3 vitesh, më janar të vitit 2021, kur kallëzuan vjedhjen përmes Tirana DC. Javën tjetër shihemi në protestën e rradhës. Ne nuk tërhiqemi pa larguar nga zyra kryebashkiakun dhe kryehajdutin e Tiranës, pronarin faktik të inceneratorit dhe të organizatës 5D, Erion Veliajn. O sot, o kurrë ✌🏻
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb