“Jo heshtje e zërit shqip”! Shqiptarëve të Preshevës, thirrje të dalin në votime

10 months ago 10

“Projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”, me këtë apel u është drejtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës numri dy i qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili i kërkoi të dalin masivisht në votime për zgjedhjet parlamentare të së dielës.

“Institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë shënjestruar shqiptar me  diskriminim dhe shtypje në cdo fushë, drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike. Pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional”, shkroi ai në Facebook.

Për këtë arsye, siç thotë, ka njoftuar edhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, duke e paralajmëruar mbi vështirësitë e mëdha me të cilat mund të ndeshen votuesit shqiptarë në Serbi. Dy lista të pakicës shqiptare marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme serbe të 17 dhjetorit.

Në një raport të publikuar nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në fillim të muajit, tregohej se 3.370 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi.

Raporti i prezantuar në Beograd dilte në përfundimin se pasivizimi është përdorur si instrument politik për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë.

Fshirja e adresave të shqiptarëve të Luginës, sipas hartuesve të tij, nënkupton se ata nuk kanë mundësi të punësohen, të martohen, të blejnë prona, të regjistrojë automjetet dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar në Serbi, shqiptarët e Preshevës që garuan të ndarë me dy lista:  Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare, pretendonin tre mandate, por në fund arritën të përfaqësohen vetëm me një deputet, Shaip Kamberin.

Top Channel

Read Entire Article