“Kadare shenjtor i çështjes kombëtare”, botuesi Balliu: Personazh po aq i madh sa vepra e tij. Do mbetet shkrimtar i përbotshëm

4 months ago 4

Botuesi i njohur Fahri Balliu, njëkohësisht dhe mik i shkrimtarit Ismail Kadare, që ndërroi jetë ditën e sotme, tha se Kadareja ishte shenjtor i çështjes kombëtare. Balliu tha se Kadare ishte personazh po kaq i madh sa edhe vepra e tij. Sipas tij, Kadare do të mbetet shkrimtari i përbotshëm, që do mësohet brez pas brezi.

Fahri Balliu: Kjo e sotmja është një ditë e rëndë. Ismaili nuk është më, por është vepra për të cilën ai shkriu jetën e tij, duke na e lënë si trashëgimi për brezat e sotëm dhe brezat që do të vijnë si udhërrëfyes, ku na tregon se ku është e ardhmja e popullit shqiptar, kë ka mik kombi ynë dhe këtë na e tregon drita e Kadaresë. Përfitoj të shpreh ngushëllime për gruan e Kadaresë, Helenën dhe dy vajzat e mrekullueshme të tij dhe t’ju them se janë pjesë e kulturës sonë kombëtare. Në kontaktet e mia të fundit, unë kisha dëshirë që të ishte më jetëgjatë. Ai dhe kohët e fundit ishte po kaq brilant, sa ç’ishte në jetën e tij. Ismail Kadare ishte një personazh po aq i madh sa vepra e tij.

Ai kishte dhembshuri për gjërat e çmuara dhe kur bindej se gjërat ishin të çmuara, bëhej i përkushtuar për zbulimin e tij. Ismaili ishte një njeri që përshkrohej nga rreze ndriçimi. Nënën e Helenës unë e kam pasur mësuese, për koicidencë. Mësuesja më mori vjershën time dhe e botoi. Unë kisha bërë një roman që kur isha fëmijë dhe do e çoja në Tiranë për botim dhe do na priste Kadareja e unë nuk e takova. Kur u kthyem, ne nuk dinim çfarë të thoshim a e takuam, por ai ishte idhull për ne që në fëmijëri. Ai u kritikua ashpër, por bën pjesë tek shenjtorët e çështjes kombëtare. Ishte njeri shumë modest, nuk lavdërohej me veprën e tij.

Kadare ishte i palëkundur në idenë e tij. Ai ishte një talent, ai ishte i ndërgjegjshëm për përmasën e tij, por kurrë nuk e thoshte se ishte i madh. Shoqëria shqiptare do ta ndjejë mungesën e Kadaresë. Vepra e tij do të lexohet nga brezat. Bisedat me Kadarenë kanë qenë gjithmonë ‘oksigjen’. Ismail Kadare ishte perëndimor në shpirtin e tij. Kadare e tejkaloi çmimin Nobelin, pasi ky çmim u bë dhe politik e kishte influenca edhe sllave. Ismail Kadare është shkrimtar i përbotshëm. Arratisja e tij në Francë i dha goditje diktaturës. Ismaili ishte dhe një mik i mirë. Kadare donte ta nxirrte shqiptarin nga myku otoman e komunist e ta çonte drejt rrugës europiane.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article