Nga Fatmir Popja
Në Skroskë të Bashkisë së Prrenjasit çdo vit në mesin e muajit Gusht organizohet festa e fshatit që ka marrë emrin “Kafja e Skroskës “.
Kjo festë tradicionale bën bashkë vendasit , banorë të fshatra për rreth si edhe ata që kanë emigruar në shtete të ndryshme të Europës, në Kanada ,SHBA e gjetkë .
Në festën “Kafja e Skroskës ” nuk mungojnë as turistët e huaj që vitet e fundit e zgjedhin këtë fshat për ta vizituar në ditë feste për tu njohur me të gjitha traditat e lashta por edhe ato të kohëve të mëvonshme.
Ndërkohë për turistët e huaj Skroska paraqet interes pasi është e njohur në kohën e komunizmit për industrinë e mineraleve.
Në pjesën lindore të këtij fshati ndodhet miniera e famshme e nikelit dhe kobaltit ku dikur punonin shumica e vendasve .
Me shpërbërjen e sistemit komunist në vitin 1990 që u pasua me krizën e thellë ekonomike si shumica e shqiptarëve edhe banorët e Skroskës emigruan .
Fillimisht ata emigronin në Maqedoninë e Veriut të sotme , në Greqi dhe më pas kudo nëpër botë , por fshatin e tyre nuk e harrojnë për asnjë çast sepse malli, siç thonë dhe ata vetë është shumë i madh.
Ata mblidhen së bashku njëherë në vit në Festën e fshatit, për t’u takuar e çmallur me njëri -tjetrin, dhe për të kaluar më pas disa ditë të bukura plot nostalgji në vendlindje , për të ecur në këmbë në të gjitha rrugicat dhe rrugët fshatit ku u lindën, për të kujtuar fëmijërinë e tyre, shkollën , rininë, gëzimet, vuajtjet e hallet e tyre të dekadave të shkuara.
Ata çdo 15 Gusht në mesditë tejmbushin Sheshin në qendër të fshatit ku tingujt e këngëve dhe ritmi i valleve krijojnë një super atmosferë që i mbush plot energji pozitive të gjithë .
Vendas e mysafirë pjesmarrës në festë trokasit gotat me pije mes njëri tjetrit duke uruar që çdo ditë të jetë e mbushur me gëzim e hare.
Ata sikurse e kanë kthyer traditë festojnë e gëzojnë deri në mbrëmje duke kënduar e vallëzuar i madh e vogël .
Fshati Skroskë ,aktualisht është tkurrur shunë përsa i takon numrit të popullsisë dhe ka vetëm disa qindra banorë pjesa dërrmuese e të cilës dominohet nga të moshuarit ,por ata kur mblidhen në vendlindje për Festën “Kafja e Skroskës ” bëhen mijëra.
Sipas, Luan Belbës , ideatori dhe organizatori kryesor i Festës “Kafja e Skroskës” , kjo festë bëhet për të qëndruar sa më të lidhur mes tyre bijtë e bijat e këtij fshati si edhe për të mos i humbur traditat e shkëlqyera e të shumta të fshatit Skroskë, i cili numëron 11 fise të mëdha , të cilat kanë mjekë, inxhinierë , agronomë, veterinerë, profesorë , infermierë e plot profesionistë të fushave të ndryshme.
Festa ka marrë emrin e traditës më të lashtë të këtij fshati , atë të kafes pasi mysafirët për çdo rast në Skroskë i prisnin e përcillnin me kafe e cila zihej mjeshtërisht prej të zotërve të shtëpisë në prush në çdo familje në këtë fshat dhe kafeja kishte një shije fantastike si askund tjetër .
Fama e kafes për shijen e asaj që ofronin në çdo shtëpi në Skroskë , ndër shekuj i kishte kaluar kufijtë e zonës dhe njihej pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Madje kudo që shkonin për kafe të moshuarit e mjaft zonave të Shqipërisë deri në fundin e shekullit të kaluar e shoqëronin porosinë me shprehjen e famshme ” Më bëj një Kafe Skroske “.
Edhe sot në çdo shtëpi në fshatin Skroskë në bashkinë e Prrenjasit ruhen me fanatizëm dhe si thesare , dallapi ku piqej në prush kafeja kokërr, mulliri i bluarjes së kafesë ,xhezveja ku zihej kafeja në prush si edhe tepsia me filxhanët ku servirej kafeja .
Historia e kafes së Skroskës e cilësuar si më e shijshmja ndër të gjitha dhe me efekte mjaft pozitive për gjendjen shpirtërore ,daton disa shekuj më parë por edhe sot e kësaj dite ajo krijon kujtime e histori dhe ka magjinë të bashkojë plot njerëz rreth tavolinës për ta pirë si dikur të parët e këtyre anëve.
Në simbol të përjetimit të kësaj tradite të lashtë që ka mbërritur deri në kohën e sotme dhe që e bëri fshatin Skroskë të njohur e të famshëm kudo vendin tonë në sheshin ku zhvillohet Festa “Kafja e Skroskës” është vendosur një pllakatë me imazhin e suvenireve dhe paisjeve që përdoren për përgatjen e saj.
Po kështu janë mbjellë një parcelë me 11 rrepe që simbolizojnë 11 fiset e këtij fshati sikurse janë fisi Belba, Ozuni ,Çela ,,Omeri,Kompula,Pozhalli,Hunçi,Hoxha,Llojku, Dada e Alla .
Një familje emigrantësht të ardhur nga Greqia u shprehën se vijnë gjithmonë në vendlindje ku kanë kaluar fëmijërinë e rininë.
Njerëzit e fshatit Skroskë kanë qenë e janë të mrekullueshëm tregon një tjetër që ka ardhur nga Gjermania.
Kemi ardhur familjarisht nga SHBA për pushime. Sot erdhëm te festa e fshatit tonë dhe takuam shumë të afërm që nuk shiheshim nga afër prej dhjetë vitesh.Jetoj në Greqi familjarisht dhe vijmë çdo vit në Festën “Kafja e Skroskës”.
Kam 30 vite në emigrim tha një burrë 67 vjeç. Vijmë me shumë kënaqësi dhe çmallemi me të afërmit, fqinjët e miqtë tanë.Vitet e fundit në Skroskë ata që emingruan shumë herët janë rikthyer dhe po investojnë .Shpresojmë që Festa të mbajë gjallë jo vetëm traditat e Skroskës por edhe të frenojë ikjen masive të brezit të ri .Vendlindja nuk duhet harruar kurrë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb