Kampionat Evropian shumë i suksesshëm për Kosovën në xhudo, fitojmë katër medalje në Francë

11 months ago 9

Kosova ka fituar katër medalje në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Montpellier të Francës.

Një medalje e argjendtë dhe tri të bronzta ishte bilanci i Kosovës në këtë kampionat, ku mori pjesë me gjashtë garues.

Festa e medaljeve filloi të premten kur fillimisht Distria Krasniqi, fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ishte bartëse e parë.

Në finale u mposht nga francezja Amandine Buchard, që ishte bartësja e dytë dhe medalistja olimpike, botërore e evropiane.

Pas saj të premten fitoi medalje të bronztë Nora Gjakova. Për medalje të bronztë, Nora e mposhti gjermanen Seija Ballhaus ku fitoi me Ippon në kohën shtesë.

Dy të bronzta të tjera erdhën sot (e shtunë), ku shkëlqyen Laura Fazliu dhe Akil Gjakova.

Laura në luftë për medalje të bronztë e mposhti portugezen Timo Barbara, ku realizoi hedhje tjetër të bukur për fitore me Ippon.

Akil Gjakova është kthyer të medalja evropiane, ku ishte kampion evropian në vitin 2021.

Në luftën për medalje të bronztë Akili e kishte përballë legjendën e xhudos botërore, Lasha Shavdatuashvili. Akili fitoi me nëj hedhje të bukur në kohën shtesë.

Flaka Loxha dhe Loriana Kuka nuk arritën të fitonin medalje në këtë Kampionat Evropian.

“Akili sot kontriboj për barazi gjinore! Medalja e Akilit përmbylli Evropianin më të suksesshëm deri më tani me plot katër medalje. Kosova mbi të gjitha…”, ka shkruar Driton Kukan në rrjetet sociale.

Kosova ka 23 medalje në Kampionatet Evropiane për seniorë. /Telegrafi/

Read Entire Article