Fqinji i Rusisë, Kazakistani ka thënë se është gati të rrisë furnizimet me naftë në Gjermani.
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev në një njoftim pas bisedimeve me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, tha se Kazakistani ka dërguar 500,000 tonë m3 naftë të papërpunuar në rafinerinë gjermane Schwedt përmes tubacionit rus Druzhba këtë vit, shitje – që filluan pasi Berlini vendosi të ndalojë blerjen e naftës ruse.
“Me kërkesën e miqve tanë gjermanë, unë kam konfirmuar gatishmërinë e vendit tonë për të rritur furnizimet me naftë dhe për t’i bërë ato afatgjata”-tha Tokayev.
“Kazakistani është një partner i rëndësishëm për ne për të zgjeruar kanalet tona të furnizimit, për shembull në importin e naftës bruto, dhe për të na bërë të pavarur nga furnizimet ruse të energjisë. Ne shikojmë gjithashtu Kazakistanin si një partner kur bëhet fjalë për lëndët e para kritike për të formësuar tranzicionin e energjisë. Dhe ne jemi dakord që rrugët e nevojshme të transportit duhet të zgjerohen më shpejt“- u shpreh Scholz në konferencën e përbashkët.
Tokayev shtoi se Gjermania nuk duhet të frikësohet se Kazakistani – një ish-shtet sovjetik në Azinë Qendrore që ndan një kufi të gjatë me Rusinë dhe është shtëpia e një pakice të madhe etnike ruse – do të përpiqet të ndihmojë Moskën të anashkalojë sanksionet perëndimore të vendosura për pushtimin e saj në Ukrainë.
Disa vëzhgues perëndimorë kanë vënë re vëllime të rritura të tregtisë midis Azisë Qendrore dhe Rusisë, gjë që mund të tregojë se disa vende në rajon po importojnë dhe rishesin në Rusi mallrat që ajo nuk mund t’i blejë vetë, duke përfshirë ato nga Evropa.
Por Tokayev tha se Kazakistani vazhdon të bëjë thirrje për bisedime midis Rusisë dhe Ukrainës për përfundimin e luftës – dhe se nuk kishte shqetësime se Moska kërcënon integritetin e saj territorial.
“Ka ardhur koha për diplomaci racionale, do të thoja, të mençur,” shtoi ai.
“Është koha për t’i dhënë fund akuzave të ndërsjella dhe për të filluar bisedimet për të gjetur bazën për bisedimet e paqes që do të ishin të pranueshme për të dyja palët.”
Top Channel