Këshilli i Ministrave bën propozimin: Festë kombëtare më 22 Nëntor për Ditën e Alfabetit

9 months ago 21
12:23 11/01/2024

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë vendimin për të ndryshuar ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Kabineti qeveritar i dërgon në këtë mënyrë Kuvendit propozimin për t’i shtuar vendit një ditë tjetër feste kombëtare, ajo e Ditës së Alfabetit më 22 Nëntor. Për ta prezantuar këtë iniciativë ishte ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

“Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, u shpreh Hasani.


Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës. Kujtojmë se edhe kryeministri Rama paralajmëroi një vendim të tillë (Lexo më shumë).  

Ndërkohë këtë vit pritet që të organizohen festime të shumta edhe me rastin e Ditës së Çlirimit. Këtë vit bëhen 80 vjet nga çlirimi i Shqipërisë dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bëri me dije se në mbledhjen e ardhshme do të miratohet ngritja e Komisionit Shtetëror për Festimet e 80 vjetorit të çlirimit.

“Do festohet në të gjithë Shqipërinë ashtu siç duhet”, tha ai./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article