Nga diplomati kontrovers amerikan Henry Kissinger deri te këngëtarja ikonë irlandeze Sinead O’Connor dhe kryekomandanti famëkeq i “Wagner”, Yevgeny Prigozhin – një vështrim për disa nga vdekjet “më të dukshme” të vitit 2023.
Silvio Berlusconi
Ish-kryeministri i Italisë, i cili u përball me skandale të shumta, u nda nga jeta më 12 qershor, në moshën 86 vjeçare. Përtej përpjekjeve të tij politike, ai ishte një biznesmen i suksesshëm, dhe njihet për themelimin e kompanisë më të madhe mediatike italiane.
Si kryeministri italian më jetëgjatë i pasluftës, u përfshi në skandale dhe akuza për korrupsion. E udhëhoqi Italinë tri herë midis viteve 1994 dhe 2011, gjithsej për 9 vite.
Edhe gjenerali ushtarak i Pakistanit, Pervez Musharraf, ishte një tjetër figurë e shquar politike që ndërroi jetë këtë vit. Ai u ngrit në pushtet në vitin 1999 përmes një grusht shteti, duke e rrëzuar nga pushteti kryeministrin Nawaz Sharif.
Tina Turner
Këngëtarja me origjinë amerikane, Tina Turner, e cila kaloi shumë sfida për t’u bërë një nga artistet më të njohura të të gjitha kohërave, u nda nga jeta më 24 maj, në moshën 83 vjeçare.
Karriera e saj përfshin këngë ikonike si “Nutbush City Limits”, “Proud Mary”, “What’s Love Got To Do With It”, dhe “We Don’t Need Another Hero”.
E cilësuar shpesh si “Mbretëresha e Rock’n Roll”, Turner fitoi 12 çmime Grammy, 6 prej tyre vetëm në vitet 1980.
Sinead O’Connor/Shuhada Sadaqat
Këngëtarja ikonë irlandeze dhe muzikantja më me ndikim në vitet 1990, Sinead O’Connor, u nda nga jeta më 26 korrik, në moshën 56-vjeçare.
Ajo la pas vetes një trashëgimi të shënuar nga muzika, aktivizmi politik, dhe një përfaqim i mëvonshëm i fesë islame.
Kulmin e suksesit e arriti në vitin 1990 me një interpretim drithërues të baladës së Prince, “Nothing Compares 2 U”, me të cilën kryesoi lista globale.
“Nothing Compares 2 U”, mblodhi tri nominime për Grammy, dhe shërbeu si pika kryesore e albumit të saj të mirënjohur “I Do Not Want What I Haven’t Got”, duke bërë që të shpallej artistja e vitit nga Rolling Stone.
Në vitin 1992 ajo tronditi botën, kur grisi foton e Papës John Paul II, gjatë një paraqitjeje live në “Saturday Night Live”, ku e shpalli Kishën Katolike si kundërshtar të saj.
Ajo u konvertua në islam në vitin 2018, dhe e mori emrin Shuhada Sadaqat.
Milan Kundera
Shkrimtari i njohur çeko-francez, Milan Kundera, u nda nga jeta më 11 korrik, në moshën 94 vjeçare.
I lindur më 1 prill të vitit 1929, Kundera studimet i përfundoi në Pragë, dhe njihet për romanet e tij satirike, të cilat eksplorojnë gjendjen njerëzore.
Shkrimet e tij, veçanërisht komedia e zezë “Shakaja”, e botuar në vitin 1967, nuk u pritën mirë në Çeki.
Duke kritikuar regjimin komunist, ai u arratis për në Francë në vitin 1975. Pas botimit të librit “Libri i të qeshurës dhe harresës” në vitin 1979, atij iu hoq shtetësia çeke.
Pavarësisht kritikave për largimin nga vendlindja, dhe moslejimin e përkthimit të librave të tij nga frëngjisht në gjuhën çeke, Kundera rifitoi shtetësinë çeke në vitin 2019.
Yevgeny Prigozhin
Kreu i grupit paramilitar Wagner, Yevgeny Prigozhin, së bashku me 9 pasagjerë të tjerë, vdiq në një aksident ajror më 23 gusht.
Vdekja e tij erdhi pikërisht pasi ai drejtoi një kryengritje njëditore kundër Kremlinit, ku forcat Wagner për pak kohë pushtuan qytetin rus, Rostov-on-Don.
Presidenti rus, Vladimir Putin, shprehu ngushëllime për viktimat e aksidentit.
Megjithatë, ai vuri në dukje se Prigozhin kishte bërë “gabime serioze në jetë”.
Mohamed Al Fayed
Mohamed al Fayed, ish-pronari i dyqanit Harrods në Londër, u nda nga jeta më 30 gusht, në moshën 94 vjeçare.
Ishte biznesmen i suksesshëm egjiptian, dhe ish-pronar i klubit futbollistik Fulham.
Gjendja e tij emocionale nuk ishte aq e mirë që nga aksidenti tragjik 26 vite më parë, ku humbi jetën djali i tij, Dodi Fayed, dhe princeshë Diana e Uellsit.
Bobby Charlton
Lojtari legjendar i Anglisë dhe Manchester United, Bobby Charlton, u nda nga jeta më 21 tetor, në moshën 86 vjeçare.
Gjatë karrierës së tij 17 vjeçare me Manchester United, ai shënoi 249 gola në 758 paraqitje, duke siguruar fitore në Kupën Evropiane, dhe tre liga angleze.
Ai shënoi 49 gola në 106 ndeshje për Anglinë, dhe udhëhoqi vendin drejt titullit të Kupës së Botës në vitin 1996.
Matthew Perry
Aktori Mathew Perry, i njohur për rolin e tij kryesor në komedinë ikonike televizive amerikane “Friends”, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij më 28 tetor.
Perry u cilësua si një nga aktorët më të njohur të Hollivudit.
Krahas Jennifer Aniston, Courteney Cox, Matt LeBlanc, Lisa Kudrow, dhe David Schwimmer, ai portretizoi me mjeshtëri personazhin Chandler, i njohur për sarkazmën dhe pasigurinë e tij.
Henry Kissinger
Diplomati amerikan dhe nobelisti Henry Kissinger, ndërroi jetë më 29 nëntor, në moshën 100 vjeçare.
Duke shërbyer si këshilltar i shquar i presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, Kissinger pati ndikim të fuqishëm në politikën e jashtme të SHBA-së.
Ndërsa shumë e admiruan përvojën e tij, të tjerë e cilësuan si “kriminel lufte për shkak të mbështetjes së tij për diktaturat”, veçanërisht atë të Amerikës Latine.
Në vitin 1973, Kissinger dhe Le Duc Tho të Vietnamit, iu nda çmimi Nobel për Paqe.
Kjo përzgjedhje bëri që ata të jepnin dorëheqje, e cila thuhet se erdhi shkaku i bombardimit sekret amerikan të Kamboxhias.
Refaat Alareer
Që nga 22 dhjetori, bombardimet izraelite kanë rezultuar në humbjen tragjike të 20,057 palestinezëve.
Në mesin e atyre që humbën jetën, është edhe poeti i shquar palestinez, Refaat Alareer.
Alareer, profesor i letërsisë angleze në Universitetin Islamik të Gazës, ishte një nga bashkëthemeluesit e projektit “Ne nuk jemi numra”, i cili bashkon autorë nga Gaza me mentorë jashtë vendit.
Në nëntor, Alareer publikoi poezinë e tij emocionuese me titullin “Nëse duhet të vdes”.
“Nëse më duhet të vdes, le të sjellë shpresë, le të jetë një përrallë”, ishin fjalët përmbyllëse të poezisë. /Telegrafi/