”Kishim një flamur shqiptar në makinë, sapo dolëm na goditën dhe…”, zbardhet dëshmia e një prej të dhunuarve në Mal të Zi

9 months ago 22

Një nga shqiptarët e dhunuar në Malin e Zi ka dëshmuar përpara efektivëve se si ndodhi ngjarja e rëndë e regjistruar pasditen e djeshme.

Klodian Meaj, njëri nga tre të dhunuarit, u shpreh se në mjetin e tyre me targa gjermane kishte pasur një flamur shqiptar.

“Ne ishim ulur nga trageti dhe morëm makinën tonë. Vijuam rrugën pa probleme deri në qytetin e Malit të Zi Herceg Novi.

Aty për një moment ndaluam sepse kishim një problem me makinën. Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin”.

Ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë provokim nga ata.

“Ne ishim duke komunikuar më zë fare të ulët brenda makinës dhe nuk kishte asnjë shkak, asnjë provokim nga ana jonë. Sapo dolëm nga makina na goditën dhe më pas u larguan”.

Kështu ai hedh dyshime se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të flamurit.

“Ne kemi dhënë deklarimet tona për policinë malazeze pasi nuk kishte asnjë arsye për të na dhunuar në atë mënyrë. Kemi marrë disa mjekime në një spital të Malit të Zi dhe pas deklarimeve kemi ardhur me dëshirë drejt Shqipërisë”.

Në dëshminë e tij, Meaj ka falënderuar shtetin shqiptar, dhe ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për të cilin tha se i ka mbështetur.

“Po ashtu falënderoj Ambasadën shqiptare në Malin e Zi e cila na ka mbështetur në çdo moment, policinë shqiptare që na u gjend afër dhe na shoqëroi si dhe spitalin e Shkodrës për gatishmërinë”.

Edhe një herë ai përsëriti se ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe që autorët të vihen përpara përgjegjësisë.

Sakaq, vijojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Read Entire Article