KLP cakton drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, mbledhjen e ardhshme zgjedh nënkryetarin

3 months ago 9

KLP në mbledhjen e sotme ka caktuar me një afat 3 mujor drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli, megjithëse ajo mori besimin e 4 anëtarëve po aq sa edhe kandidati tjetër Edmond Koloshi. Por ky i fundit nuk arriti të marrë drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, pasi për Belulin votoi kryetarja e KLP-së, vota e së cilës prevalon.

Gjithashtu KLP miratoi dy prokurorët e rinj të SPAK, Anita Jella dhe Bledar Maksuti, ndërsa refuzoi kandidaturën e Ndini Tavanit, një procedurë kjo që është kundërshtuar nga Prokurori i Tiranës, si anti-Kushtetuese dhe anti-ligjore.

Njoftimi nga KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot seancën e radhës plenare në prani të 8 (tetë) anëtarëve, përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, misionit OPDAT, misionit EU4 JUSTICE, në mungesë të anëtarëve Olger Eminaj dhe Erind Mërkuri.

Këshilli vendosi që rendit të ditës t’i shtohen edhe dy çështje të tjera për vendimarrje:

fillimi i procedurave për plotësimin e një vendi vakant si pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës përmes procedurës së komandimit nga radhët e
prokurorëve

caktimin e përkohshëm të drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, dhe fillimi i procedurave për përzgjedhjen e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për diskutim.

Me propozim të Komisionit të Posaçëm të KLP, Këshilli miratoi me votë unanime, 3 pikat e para të rendit të ditës, përmes të cilave Prokurorisë së
Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i shtohen edhe 2 prokurorë.

Respektivisht, Këshilli vendosi për:

Emërimin e znj. Anita Jella si prokurore në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Moscaktimin e z. Ndini Tavani në detyrën si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Emërimin e Bledar Maksuti si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në vijim Këshilli vendosi unanimisht edhe për pezullimin nga detyra të prokurorit Aurel Zarka.

Më pas, Këshilli vazhdoi me diskutimet lidhur me pikat e shtuara në rendin e ditës.

Bazuar në propozimin e sjellë nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me votë unanime të shpallë fillimin e procedurës së kandidimit për plotësimin e një vendi vakant si pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës, përmes procedurës së komandimit të një prokurori, për një afat deri në 5 (pesë) vjet.

Në vijim të vlerësimit të kandidaturave të propozuara nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiskionit të Përgjithshëm Durrës, rezultoi se kandidatët që plotësonin kushtet për këtë pozicioni ishin z. Edmond Koloshi dhe znj. Suela Beluli.

Pas votimit, të dy kandidatët morën nga 4 vota. Në kushtet kur vota e drejtuesit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë prevalon, rezultoi që znj. Suela Beluli të caktohet përkohësisht në detyrën e drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për një periudhë 3 mujore.

Në përfundim të mbledhjes, znj. Riza, kërkoi nga anëtarët jo-prokurorë, të shprehin interesin e tyre, për të vazhduar me procedurën e përzgjedhjes së Zëvendëskryetarit të Këshillit, në seancën më të afërt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article