Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sor se Lista e Barnave të Rimbursueshme është azhornuar me barna të reja dhe inovative.
Gjatë interpelancës së kërkuar në Kuvend nga deputeti Agron Shehaj lidhur me furnizimin me medikamente në Spitalin Onkologjik, ministrja Koçiu tha se medikamentet e aprovuara apo ato të buxhetuara në çdo rast kanë mbërritur tek qytetari, ndërsa hodhi poshtë pretendimin se kjo listë nuk është azhornuar me barna të reja.
“Një nga hapat më të rëndësishëm që është marrë është zhvillimi dhe zbatimi i programeve të depistimit është parandalimin e disa prej llojeve më të shpeshta të kancerit, duke filluar nga kanceri i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës, që janë më të shpeshta te gratë. Për të siguruar një diagnostikim të hershëm dhe parandalim, në këto programe kanë përfshirë fushata ndërgjegjësimi dhe ofrimin e shërbimeve për depistimin e këtyre sëmundjeve, si dhe mundësinë e një diagnostikimi të hershëm përmes programeve të Konstrollit Shëndetësor Bazë që përfshijnë gjithashtu kancerin kolo-rektal. Po ashtu, në përpjekje për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, është nisur një nga programet e vaksinimit kundër HPV, një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit të grave dhe vajzave”, tha ajo.
Këto programe, vijoi Koçiu, kanë njohur rritje vit pas viti në buxhete dhe do njohin rritje edhe me buxhetin e vitit 2025-s .
Ministrja u ndal edhe në përmirësimi i infrastrukturës diagnostikuese ku vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm aparaturat dhe teknologjia e përdorur për diagnostikimin e këtyre sëmundjeve. “Nga 2 rezonancat magnetike që kishte Shqipëria në vitin 2013, vetëm në ë Tiranë, sot kemi rezonanca në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vloëe, Fier, Korçë për të mos folur për 22 skanera që i kemi në çdo spital Rajonale dhe bashkiakë”, shtoi ajo.
Duke u ndalur te trajtimi i sëmundjeve tumorale nëpërmjet radioterapisë, ministrja Koçiu tha se “sot, Shqipëria ka dy akseleratorë linear për trajtimin me rrezatim, që janë të pajisur me teknologji moderne dhe mundësojnë trajtime me saktësi dhe efikasitet të lartë. Në bashkëpunim Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë do mundësojmë së shpejti dhe pajisjen me akseleratorin e tretë i cili e ç on numrin e akseleratorëve në Spitalin Onkologjik në tre”.
Koçiu deklaroi se “rreth 1200 pacientë trajtohen çdo vit me radioterapi në kushte moderne dhe përfshihen në një trajtim të standardeve më të larta”.
Edhe sa i përket sigurimit të barnve të nevojshme për trajtimin e të gjitha llojeve të kancerit sipas protokolleve mjekësore, Koçiu tha se “përveç barnave citostatike që përdoren për trajtimin e tumorëve, janë siguruar dhe barna inovative të terapive të reja si imunoterapia dhe terapia e shënjestruar, që ofrojnë mundësi trajtimi më të efektshme për pacientët që vuajnë nga sëmundje më të avancuara. Vetëm në 9 muaj e parë të këtij viti kemi trajtuar 12 282 raste me imunoterapi. Këto janë barna të rimbursuara nga shteti dhe janë në dispozicion të pacientëve në shërbimet shëndetësore publike”.
Ajo nënvizoi se “buxheti i dedikuar për barnat në LBR që përdoren në trajtimin e kancerit është rritur, dhe në vitin 2024 ka arritur në 12 miliardë lekë, nga të cilat rreth 21% e këtij buxheti është përdorur për barna citotoksikë. Në 2024-n janë shtuar 50 barna të reja në Listën e Barnave të Rimbursueshme ku 7 barna të reja janë për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale”.
Koçiu tha se nëpërmjet mekanizmit më të ri të kontraktimit për të mundësuar përfshirjen e barnave inovatore në sistemin tonë publiksot kemi mundësuar trajtimin me barna inovatorë të kancerit të gjirit dhe sëmundjeve malinje të gjakut, por edhe patologjive të tjera, veçanërisht të fëmijeve me patologji të tilla në Spitalin Pediatrik.
“Me miratimin e marrëveshjes kuadër 2 vjeçare për furnizimin me barna për 2024-2026 janë futut 26 barna të reja ku 8 prej tyre janë barna të reja për trajtimin e sëmundjeve tumorale. Po ashtu, për të mundësuar një trajtim më të mirë dhe më të shpejtë pranë vendbanimit, janë krijuar njësi të kemioterapisë në 8 spitalet rajonale (Durrës, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Berat, Shkodër, Fier dhe Korçë), që ofrojnë shërbime të plota për pacientët që kërkojnë trajtim me kimoterapi. Kjo ka mundësuar që pacientët të shmangin udhëtimet e gjata për në Tiranë, siç ishte deri ne 2018, duke e bërë trajtimin më të lehtë dhe më të përshtatshëm për ata”, tha Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri me dije se në kuadër të reformës në Spitalin Onkologjik është edhe krijimi i Bordeve të tumoreve pranë QSUNT-së i përbërë nga një ekip multidisplinar i përbërë nga mjeku kirurg, onkolog, imazherist, radioterapeut, anatomopatolog.