“Koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës ka mbaruar!”, Rama ia thotë në sy sipërmarrësve: S’mund të përdorim taksat për të mbajtur ‘në jetë’ një organizëm, është vdekje klinike!

9 months ago 19

Kryeministri Edi Rama deklaroi se situata me zhvlerësimin e euros ka ardhur si pasojë e vlerësimit të fuqisë punëtore në treg.

Gjatë një takimi me sipërmarrës nga ‘Shtëpia e Biznesit’, Rama tha se ka mbaruar koha kur krahu i punës paguhej lirë.

Madje ai shtoi figurativisht se nuk mund të shprehet as nga taksat dhe as nga ‘serumet’ për të mbajtur ‘në jetë’ një ‘organizëm’ që është i destinuar ‘të vdesë’

“Kjo ditë nuk lidhet thjesht me euron. Është gabim. Është qasje komplet e gabuar ta shohësh këtë si një ditë që e solli forcimi i lekut dhe situata e re që kjo ka krijuar me euron. Jo! Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues në treg ka vdekur prej kohësh. E kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur, në atë industri ka marrë masat për t’u adaptuar.

Kush nuk e ka kuptuar apo kush nuk i ka marrë masat për t’u adaptuar, sot e ka të pamundur të mbijetojë. Në këto kushte, t’i kërkosh qeverisë të të japë serume, është gabim. Pse? Sepse nuk ka serum që të shpëton dhe nga ana tjetër, qeveria nuk mund të përdorë taksat për të zgjatur agoninë e një organizmi që nuk e mban dot, nuk e kthen dot më në jetë. Është një vdekje klinike e sigurt, por nuk është pa zgjidhje as për sipërmarrësit, as për personat. Zgjidhja është të adaptohesh! Të ndryshosh lojën! Të qasesh me qartësi dhe me forca të reja në një treg që është tjetër. Mjafton të shikosh ata që e kanë bërë këtë gjë, se fatmirësisht sot jemi në kushtet kur mund t’i lidhim fjalët me shembujt, pra nuk është diçka që e kemi ne të diskutuar teorikisht. Dhe nuk është as diçka që ne e kemi parë në vende të tjera dhe po themi hajdeni bëjeni dhe ju këtu. Jo! Është diçka që këtu ka aktorë të kësaj industrie që e kanë bërë dhe që janë sot konkurrues.

Nga ana tjetër, ne duhet si qeveri të shikojmë çfarë do t’ju ofrojmë ne atyre grave në Devoll që në rast se mbyllet një fabrikë sepse nuk ka bërë dot adaptimin, nuk ka futur dot elementë të tjerë për të përballuar këtë goditje, atëherë këta njerëz të kenë një mundësi të re dhe mundësia e re do të thotë që t’ju japim mundësinë që t’i përshtaten tregut e të përfshihen në të tjera aktivitete të kësaj ekonomie. Kjo është mundësia e re. Nuk është mundësia e re që t’i japim lekë nga buxheti për të mbajtur punëtorë në shtëpi, ndërkohë që fabrika është mbyllur dhe e sjell këtë shembull, sepse kjo po i ndodh sot një industrie që nuk arriti e gjitha të adaptohej me sfidën, por kjo mund t’i ndodhë nesër të gjithëve ju që jeni këtu, të gjithëve, pa përjashtim. Mund të ndodhi nesër në momentin kur ne bëhemi pjesë integrale e sistemit europian, sepse konkurrenca nuk është më me njëri-tjetrin, por konkurrenca është me të ngjashmit tuaj sipas sektorëve në një histori shumë më të gjatë, në një traditë shumë më të fortë me dituri shumë më të mëdha e të tjera.

Tjetra, dhomat e tregtisë. I kemi rënë vërdallë e vërdallë të paevitueshmes, sepse është një gjë që nuk imponohet dot e gjitha nga lart dhe prandaj kemi pritur që të piqen disa kushte që vetë komuniteti të kuptojë që kjo mënyrë organizimi ku secili bashkë me tre shokë bën Dhomën e vetë, është Bathorja e sipërmarrjes. Ne këtë e kemi bërë me të gjitha gjërat në vitet e lirisë, në kërkim të demokracisë.

Bathorja, të cilës i referohemi është vetëm njëra që është ajo që ne e dimë dhe që lidhet me ndërtimin kuturu, në një territor pa kanalizime, pa ujësjellës, pa asgjë, por ne kemi ndërtuar “Bathore” në çdo sektor të jetës edhe brenda pushtetit ekzekutiv. Mjafton të shikosh historinë e strukturave që janë ndërtuar e janë prishur e janë rindërtuar e ri prishur të organizimit të qeverisjes. Mjafton të shikosh historinë e dixhitalizimit e të kioskave që janë ndërtuar. Mjafton të shikosh e të shikosh, mund t’ju sjell shembuj pa fund, për të kuptuar se sa shumë e kemi paguar mungesën e traditës, mungesën e dijes, mungesën e organizimit, mungesën e koordinimit dhe mungesën e kuptimit që secili bën punën e vet, por të gjithë bashkë, duhet të ndërveprojmë që puna e secilit të bëhet më mirë.

Prandaj dhe ligjit i Dhomave të Tregtisë e prandaj dhe sistemi i Dhomave të Tregtisë duhet të bëhet një sistem europian, sepse jemi një vend që nuk kemi asnjë sistem. Kemi dhoma, dhoma, dhoma, por nuk kemi shtëpi. Nuk e kemi një shtëpi për biznesin. Kemi dhoma. Po ku është dhoma e pritjes? Nuk dihet! Janë të gjitha dhoma gjumi.

Atëherë, duhet ta bëjmë bashkë dhe kjo është një nga objektivat që kemi, apo jo? E të tjera që unë nuk dua ta zgjas, por thjesht dua t’ju them që mos e lini këtë hapësirë të pashfrytëzuar, se tani ne mund të vëmë këtu të gjithë vëmendjen tonë. Mund të vëmë këtu stafin që do të merret vetëm me sipërmarrjen. Mund të vëmë të gjitha forcat tona në dispozicion që t’i adresojmë çështjet tuaja, duke filluar nga ato më individualet e më të bezdisshmet që pengojnë punën tuaj të përditshme. Një rimbursim, një inspektim, një bllokim, një pritje pafund për një leje ku di unë, mjedisi, leje zjarri, leje zhurme, deri tek ato që lidhen me legjislacionin, por nëse ju nuk e merrni pjesën tuaj të pronësisë të kësaj shtëpie të biznesit, kjo do të mbetet një gjë e cunguar, prandaj duhet të na vini në provë dhe unë besoj që me Sekretarin e Përgjithshëm, kemi një shans më shumë, edhe ne, edhe ju, sepse e njeh mirë komunitetin tuaj dhe ne na shikon me sy kritik, edhe politik, edhe ekonomik. Çfarë doni më shumë ? Çfarë të bëjmë më shumë? Dje nuk e pata dot të mundur sepse kisha një impenjim tjetër dhe e hapën pa mua, më erdhi jashtëzakonisht keq, nuk e besoja dot që një anëtar i Këshillit Ekonomik që ishte në tryezë dje, ndërroi jetë. Juve, një pjesë e juaja e keni njohur, unë nuk e kam njohur personalisht, por kam dëgjuar fjalët më të mira për të, por kjo hyn në ato gjëra që jemi të ndaluar të kërkojmë të marrim informacion se nuk na jep informacion askush se si ndodh, as ardhja e as ikja nga kjo jetë. Kështu që, me shumë keqardhje, me shumë habi, i përcjell ngushëllimet – edhe kështu, meqë mu dha mundësia, – të gjithë atyre që e kanë pasur njeri të afërt, mik. Ai bënte shumë mentorime të të rinjve në tregun e punës dhe ishte shumë aktiv, përtej biznesit të vet edhe familjes natyrisht.

Gjithsesi, faleminderit që erdhët dhe që na dhatë mundësinë të hapim këtë derë dhe ditën sot, duke qenë ju të pranishëm, se siç thashë, është gjynah nëse do të mbetet një zyrë e pavizituar dhe e pa efektshme, realisht unë kam shumë besim që bashkëpunimi i Delinës me Arbenin dhe i qeverisë me Këshillin Ekonomik dhe me Sekretariatin e Përgjithshëm, na ka dhënë një mundësi të re. Tani, sa do ta shfrytëzojmë e sa do ta kthejmë në një numër të ri mundësish për punën tuaj, kjo varet nga ne, por varet në radhë të parë nga ju dhe nga gjithë ata që janë pjesë e komunitetit tuaj, por që nuk janë këtu të pranishëm.”, pohoi kryeministri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article