Vendimi i Gjykatës së Apelit, i cili i dha vulën Sali Berishës, bëri që në grupimin Basha të nisin diskutimet se çfarë do të bëhej me të ardhmen e tij politike.
Në tryezën e diskutimeve të forumeve të grupimit Basha u hodhën disa ide si: Krijimi i një partie të re, t’i bëhet rekurs vendimit të Apelit, apo secili të shkojë në punën e tij.
Lulzim Basha tha publikisht se do bëjë rekurs të vendimit, me shpresë se diçka e tillë mund t’i kthejë vulën e Partisë Demokratike.
Por një shumicë tjetër, anëtarë të Kryesisë, deputetë, dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar, nuk janë në të njëjtën ide me Bashën, të cilin e votëbesuan më 29 korrik 2023, për të drejtuar PD-në zyrtare.
Dhe kjo përplasje ka sjellë një tjetër përçarje në grupimin Basha, pasi sipas burimeve për gazetarin e Neës24, Osman Stafa, deputeti Enkelejd Alibeaj, Edvin Kulluri, Roland Bejko, Rezart Kthupi, Agron Kapllanaj, Gjergj Hani, janë duke menduar krijimin e një partie të re.
Dhe kjo lëvizje e tyre nuk e ka miratimin e Bashës, ndërkohë që kjo lëvizje është një përgjigje edhe ndaj tij, pasi ish-bashkëpunëtorët vlerësojnë se ai pati 10 muaj kohë për të treguar se kishte ndryshuar, dhe se kulmi ishte kur ai nuk pranoi krijimin e një partie të re.
Po ashtu i njëjti burim, deklaron se ka një pakënaqësi ndaj Bashës, pasi nuk është dorëhequr nga Grupi Parlamentar i PD-së, i cili tashmë kontrollohet nga Sali Berisha, siç ka bërë disa ditë më parë Enkelejd Alibeaj. Burimet thonë se nëse Basha dëshiron, përfshirja e tij në partinë e re nuk përjashtohet.
Fatbardh Kadilli është një tjetër emër i cili pritet t’i bashkohet kësaj partie të re, ndërsa janë të ftuar edhe figura të tjera të cilat mund të jenë larguar nga politika.
Burimet thonë se ideatorët e kësaj lëvizjeje, janë duke diskutuar edhe me deputetë të grupimit Basha, për të qenë pjese e kësaj partie. Ndërkohë që përçarja e tyre u vu re edhe përpara disa ditëve kur ai thirri Këshillin Kombëtar dhe deputetë të pranishëm nga 10, ishin vetëm 5: Arbi Agalliu, Orjola Pampuri, Selaudin Jakupllari dhe Merita Bakiu.
Kjo parti e re opozitare, pritet te quhet “IDE” – Iniciativa e Demokrateve Euroatlantike. Kjo parti nuk do të ketë një kryetar, por do të drejtohet nga një organ kolegjial në zgjedhjet e vitit 2025.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb