Kam nderin t’ju drejtohem në këtë Forum për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mbahet në Prishtinë.
Ky organizim është dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët ndaj paqes dhe sigurisë, aq sa dhe shprehje e kontributit aktiv të Kosovës për një të ardhme të begatë, për një botë ku roli i grave është themelor.
Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitar i konflikteve të përgjakshme të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në tokat e zemrat tona e do mbeten përgjithmonë në kujtesën historike.
Gratë, kanë mbajtur barrën më të rëndë të këtyre konflikteve. Ato janë trajtuar si shënjestra të dhunës e torturës me qëllim poshtërimin e komuniteteve dhe pastrimin etnik. Këto konflikte na kujtojnë me dhimbje çmimin e paguar kaq shtrenjtë, veçanërisht nga gratë.
Ne jemi sot në Kosovë së bashku për të ritheksuar vendosmërinë tonë të palëkundur për bashkëpunim, përparim e zhvillim të qëndrueshëm për paqe dhe siguri ne Ballkanin Perëndimor.
Ky forum përbën jo vetëm një akt të kujtesës kolektive të dhunës historike dhe aktuale ndaj grave në konflikte. Por edhe aspiratën e përbashkët për një të ardhme ku paqja dhe siguria fuqizohet prej rolit dhe lidershipit të grave.
Të nderuar pjesëmarrës,
Historia jonë në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërishte shoqërisë shqiptare, është dëshmi e forcës së grave si ndërmjetëse të paqes dhe stabilitetit. Gratë shqiptare kanë luajtur një rol të rëndësishëm, në ruajtjen e solidaritetit familjar dhe social.
Sot ato japin një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e dialogut. Gratë janë të angazhuara në mënyra të ndryshme, nga pjesëmarrja në jetën politike, sipërmarrjen e lirë dhe shoqërinë civile deri te përfshirja në iniciativa për tëdrejtat e njeriut dhe arsimimin.
Shqipëria dhe Kosova kanë arritur përfaqësim të lartë të grave në jetën politike, institucione shtetërore dhe ato të mbrojtjes e sigurisë. Më lejoni të përgëzoj Kosovën për këtë, shtetin që në 15 vitet e para të pavarësisë ka pasur dy gra presidente.
Në mënyrë të vecantë gjej rastin të falenderoj Presidenten Osmani për iniciativën dhe organizimin e këtij forumi. Jam i sigurt se kemi akoma për të bërë për shembjen e mentaliteteve penguese, forcimin e rolit të grave, sigurimin e barazisë gjinore dhe mundësive të barabarta. Paqja dhe siguria nuk mund të arrihen nëmënyrë të qëndrueshme pa pjesëmarrjen e barabartë tëgrave dhe burrave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
Për të forcuar rolin e grave duhet të zhvillojmë kapacitetet e tyre dhe të krijojmë rrethana mbështetëse për to.
Arsimimi i vajzave dhe grave është një aspekt themelor. Investimi në arsimimin dhe trajnimin u hap mundësi të reja, u jep forcë, kurajë e burime që u duhen për të sfiduar mentalitete e qasje në familje e shoqëri. Kjo do të siguronte mundësi të barabarta përtë marrë pjesë në proceset politike dhe shoqërore.
Duke mbështetur arsimimin e grave, ne investojmë në liderët e ardhshëm të fushave sfiduese, si inovacionit teknologjik, e të risive në zgjidhjet për problemet mjedisore.
Risitë e sjella nga gratë udhëheqëse, shkencëtare, aktiviste, e sipërmarrëse janë të domosdoshme për adresimin e sfidave me të cilat është përballur dhe përballet bota sot. Ky forum mund të kthehet në një platformë aleancash që mbështesin dhe sigurojnë arsimimin e grave në mbarë botën.
Të njëjtat aleanca duhet të formohen për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas. Kjo dhunë, fatkeqësisht, nuk është vetëm një fakt i konflikteve civile, etnike, rajonale apo globale, por dhe i jetës së përditshme të qindra dhe mijëra familjeve në të cilat gratë përballen me keqtrajtim.
Si e tillë, beteja për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas kërkon përpjekjen tonë kolektive në shumë nivele, vendosmërinë dhe vijimësinë e saj. Ka ardhur koha e një fushate intesive për të siguruar që dhuna ndaj gruas e çdo forme qoftë ajo të jetë e papranueshme dhe e pafalshme.
Më lejoni të rikujtoj dhimbjet, vuajtjet, sakrificat e grave dhe vajzave që ishin viktima të dhunës.
Vlerësoj shumë lart kurajon dhe guximin e të gjithë atyre që dëshmuan tmerret e përjetuara. Ato janë dëshmi të gjalla që nuk duhen harruar, nuk duhen arkivuar dhe nuk duhen lënë pa u dënuar dhe kurrë të mos përsëriten.
Të nderuar pjesëmarrës,
Në kontekstin e tensioneve të sotme rajonale dhe globale, rritja e pjesëmarrjes së grave në dialogun përpaqe dhe siguri ofron perspektiva dhe zgjidhje të cilatjanë thelbësore për ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
Në rajonin tonë, ku ndryshimet politike dhe tensionet e sigurisë vazhdojnë të jenë një sfidë, roli i grave në parandalimin e konflikteve, në ndërmjetësim dhe nërimëkëmbjen pas konflikteve është më i rëndësishëmse asnjëherë tjetër.
Ky forum është i rëndësishëm për të theksuar rolin e secilit prej vendeve tona në përpjekjet dhe angazhimin në favor të paqes dhe sigurisë, të cilat e kanë themelin tek konsolidimi i shtetit të së drejtës, cilësia e demokracisë dhe drejtësia sociale.
Këto janë dhe shtyllat mbi të cilat Shqipëria ka orientuar dhe po punon intensivisht për rrugëtimin e sajdrejt integrimit evropian. Padyshim që demokracia dhe shteti social kanë gjithnjë nevojë për reforma e përmirësim. Në çdo kohë ato mbeten të vetmet zgjidhje të sigurta drejt paqes e sigurisë në vend e në botë.
Unë e shoh barazinë gjinore dhe konsolidimin e rolit të grave në shoqëri si kushte themelore të demokracisë funksionale.
Në përfundim, shpreh bindjen se ky forum do të shërbejë si udhërrëfyes për hapa konkretë inisiativash dhe aktivitetesh në nivele të ndyshme përfaqësimi me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e patjetërsueshëm të gruas dhe garantimin në çdo kohë të integritetit të saj fizik e psikologjik.
Nga Prishtina e qëndresës dhe energjive të pashtershme për të ndërtuar një të ardhme të begatë, uroj një botë ku çdo grua dhe vajzë të jetojë e lirë nga shtypja, dhuna e diskriminimet dhe të mbështetet në realizimin e ëndrrave dhe aspiratave të saj.
*FJALA E PRESIDENTIT TE REPUBLIKËS, BAJRAM BEGAJ NË FORUMIN PËR GRATË, PAQEN DHE SIGURINË
PRISHTINË, ML 15 PRILL 2024
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb