Doganierë dhe një 63-vjeçar u arrestuan nga Policia e Vlorës në kuadër të operacionit “Tranzit4”, i cili goditi kontrabandën me produkte për konsum.
Policia ka identifikuar administratorin e biznesit për llogari të të cilit transportoheshin mallrat dhe vijon punën për kapjen e tij.
Gjithashtu janë arrestuar 2 punonjës të Degës Doganore Qafë Botë, mbi dyshime për shpërdorim të detyrave. Në hetim për të njëjtën vepër penale, një punonjës i tretë i kësaj dege.
Në vijim të punës për goditjen e rasteve të kontrabandës së mallrave, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast paligjshmërie në këtë fushë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Tranzit 4”, gjatë të cilit:
– U vunë në pranga shtetasi N. G., 63 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasja A. A., 54 vjeçe, me detyrë doganiere në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe shtetasi A. V., 49 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Degën Doganore Qafë Botë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
– U shpall në kërkim shtetasi A. M., 52 vjeç, administrator biznesi, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
– U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin E. A., 43 vjeç, me detyrë agjent në Degën Doganore Qafë Botë.
Gjatë operacionit, shtetasi N. G. u kap në PKK Qafë Botë, duke futur në Shqipëri, me mjete të rënda (kamionë dhe trajlera), sasi të mëdha produktesh për konsum, të dyshuara të kontrabanduara. Ndërkaq, 52-vjeçari u shpall në kërkim, pasi dyshohet se këto mallra transportoheshin për llogari të biznesit që ai administronte.
Arrestimi i shtetasve A. A. dhe A. V., si dhe procedimi i 43-vjeçarit u bënë pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrat, kanë lejuar kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.
Punohet për kapjen e shtetasit A. M., dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb