“Korrigjime për administrimin e fondeve të BE për bujqësinë”, Rama: Na intereson çfarë ka bërë Kroacia në këtë drejtim

1 year ago 13
15:08 02/10/2023

Në kuadër të vizitës zyrtare në Zagreb, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenković kanë dhënë një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka shprehur vlerësimin për qeverinë kroate dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Rama shprehet se qeveria do të përfitojë dije nga Kroacia sa i përket fondeve të BE-së për bujqësinë pasi thotë se Shqipërisë i intereson adresim struktural që qeveria kroate ka bërë në këtë drejtim.

Edi Rama: Faleminderit për frymën pozitive të një marrëdhënie prej së cilës mësojmë vazhdimisht. Kroacia është një shembull dhe një burim frymëzimi dhe inkurajimi në procesin tonë të ecjes drejt anëtarësimit të plotë në BE. Kroacia është një shembull suksesi, së fundmi dhe me Eurozonën dhe Shengenin. Ajo që Kroacia ka arritur vetëm në një dekadë pas anëtarësimit në BE na inkurajon dhe na bën më kërkues ndaj miqve në Zagreb për të na ndihmuar me eksperiencën e tyre me një proces që Kroacia e ka krijuar më parpara se ne.

Ne kemi përfituar falë ndihmës së qeverisë kroate, një mbështetje direkte për procesin e negociatave në BE dhe duam të përfitojmë mbështetjen me dije për turizimin, sigurinë kibernetike, për ndihmën aktive në funksion të arsimit dhe për të trajtimit në mënyrë specifike raste siç është ai lidhur me disa korrektime që do të bëjmë në lidhje me administrimin e fondeve të BE për bujqësinë sepse një rast të ngjashëm ka pasur edhe Kroacia dhe na intereson për adresimin struktural që qeveria kroate ka bërë në këtë drejtim.

Po ashtu, temë ishte edhe energjia e kombinuar dhe me infrastrukturën sepse së bashku me Kroacinë jemi pjesë e të njëjtit plan për korridorin Adriatiko-Jonian. Kroacia ka vendosur financimin e korridorit nga ana e Kroacisë. Ne jemi në procesin e lidhjes së kontratave për pjesën kryesore të segmenteve të këtij korridori dhe kemi diskutuar se si do ta përfshijmë dhe Malin e Zi./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article