Kosova në NATO? Ky është skenari që i ‘frikësohet’ Serbia – ekspertët zbardhin “prapaskenat”!

8 hours ago 27

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO është përfolur shumë kohëve të fundit.

Tash e një kohë, liderë dhe politikanë të ndryshëm në Kosovë, kërkojnë një proces të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

E gjithë kjo vjen duke pasur parasysh provokimet dhe kërcënimet që Serbia bën vazhdimisht ndaj vendit tonë.

E së fundi, profesori amerikan, Edward Joseph, në një fjalim të mbajtur në Perason Institute në Çikago, tha se për Kosovën është shumë më i rëndësishëm anëtarësimi në NATO sesa në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Madje, Joseph potencoi se “loja merr fund” në momentin që sigurohet rruga për anëtarësimin e Kosovës dhe sigurohet heqja e bllokadës, meqë Serbia s’ka ndonjë mundësi për të penguar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Hapja e rrugës për anëtarësim në NATO për Kosovën. Në momentin që rruga sigurohet dhe hiqet veto dhe bllokada, pastaj është lojë e humbur. Serbia s’ka mundësi të bllokojë. Dhe mundësia që Rusia dhe Kina të bllokojnë Kosovën në Kombe të Bashkuara është në thelb e pakuptimtë. Sepse anëtarësimi në NATO është shumë më shumë e rëndësishme për Kosovën, siç e dëgjuat edhe nga z. Haradinaj”, ka thënë Edëard Joseph.

Joseph ka thënë se vetëm shtrimi i rrugës për anëtarësimin e Kosovës në NATO do të mbyllte problemin mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që sipas profesorit amerikan “strategjia e Serbisë s’do të vlente më”.

Por, sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë dhe si do ndikonte ky anëtarësim, folën ekspertët e sigurisë.

Dashevci: Kosova ka nevojë për siguri, pasi pasiguria na vjen nga Serbia

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

Si fillim, ai u pajtua me profesori Joseph, ku tha se zgjidhja e problemit me Serbinë është anëtarësimi i Kosovës në NATO.

Image

Arben Dashevci.

Me këtë, Dashevci tha se do mbylleshin rrugët e shtetit serb për destabilizim të shtetit tonë.

“Natyrisht se zgjidhja më e duhur për Kosovën është anëtarësimi në NATO, sepse do të mbylleshin të gjitha rrugët e destabilitetit të orkestruara nga Serbia.

Serbia më nuk do të kishte asnjë mundësi të vetme për destabilizim ose ndonjë sulm të çfardo lloji, sepse Kosova do të hynte në mbrojtjen kolektive dhe do të ishte nën ombrellën e saj (NATO).

Këtu edhe qëndron rëndësia e anëtarësimit në NATO, pra aspekti i sigurisë”, shtjelloi eksperti.

Po ashtu, ai përmendi edhe pengesat që Kosova ka në anëtarësimin në OKB, derisa tha se më lehtë është anëtarësimi në NATO, veçse tha se duhet të plotësohen kushtet që kërkohen.

“Kosova ka nevojë për siguri, pasi pasiguria na vjen nga Serbia, dhe anëtarësimi në NATO do t’i mbyllte dyert Serbisë të shkaktojë pasiguri në Kosovë, por edhe në rajon.

Për anëtarësim në OKB kemi barrierë Kinën dhe Rusinë si gjithmonë, ato kanë thjeshtë të drejtën në veto dhe këtë e kanë shfrytëzuar çdoherë, kurse në NATO nuk kemi barriera vetëm se duhet t’i plotësojmë kushtet që na kërkohen për anëtarësim, dhe ato kushte duhet t’i plotësojmë sa më shpejtë mendoj unë, pasi kështu problemet në aspektin e sigurisë marin fund njëherë e përgjithmonë me Serbinë”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Gecaj: Është e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e NATO

Image

Hysen Gecaj

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj tha se ka disa mundësi për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi.

Madje, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se hapja e dyerve të institucioneve ndërkombëtare për Kosovës, është një nga opsionet e fundit.

“Besoj se SHBA dhe BE kanë disa opsione për zgjidhjen e problemit të raporteve të këqija në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht, besoj se në instancën e fundit e kanë edhe opsionin që Kosovës t’i hapen dyert në të gjitha ato institucione ndërkombëtare, ku Serbia nuk mund të pengojë antarësimin e Kosovës”.

Krahas kësaj, Gecaj tregoi përparësit e mëdha që do i kishte Kosova me një anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Madje, tha se përmes këtij vendimi, shteti serb do të detyrohej që të normalizonte marrëdhëniet me Kosovës, si dhe do ta rishqyrtonte pozicionin e saj.

“Një nga raste të tilla është edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO me çka do t’i forcohej pozicioninegociues i Kosovës, pasi që me anëtarësim në NATO, Kosova do të përfitonte në aspektin e sigurisë të cilin e garanton artikulli i 5-të i traktatit të NATO-s për ndihmë ndaj cilitdo anëtar që sulmohet nga palë të tjera. Në situatë të tillë Serbia do të detyrohej që të rishqyrtojë pozicionin e saj dhe gradualisht do të "rrëshqiste" drejt normalizimit të raporteve me Kosovën. Arsyeja se pse nuk është përdorur ky opsion i trysnisë është tentativa që të shterrohen të gjitha mundësitë tjera dhe që këto dy shtete të mos e kushtëzojnë njëra tjetrën për antarësim në institucione ndërkombëtare”, shpjegoi eksperti.

Ndër të tjera, shtoi se anëtarësimi i vendit tonë në NATO do grantonte stabilitet dhe mundësi për të ardhmen.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO i jep mundësinë më pastaj Kosovës që ta pengojë Serbinë për anëtarësim, por besojë që do të gjendet ndonjë opsion që kjo të mos ndodhë sepse është interes edhe i Perëndimit që edhe Serbia të anëtarësohet në NATO. Sidoqoftë është e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e NATO edhe me këtë opsion sepse ky anëtarësim është garant stabiliteti dhe mundësi për ecje para”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Read Entire Article