Kosovë/ ​Kërkohet rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor

11 months ago 16
Reklamë

Qytetarët e Kosovës duhet t’i vetëdijesohen për rëndësinë e shëndetit mendor, sepse kohëve të fundit janë rritur shumë rastet e dhunës në familje, sjelljet agresive, si dhe janë përhapur fenomene të ndryshme të cilat po dërgojnë në pasoja fatale vetë individin, por edhe shoqërinë.

Kështu u tha në Kongresin Ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”, i cili u organizua nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.

Psikologu klinik, specializanti i psikologjisë klinike dhe kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës dhe Shqipërisë, Ilir Havolli tha se për gjashtë vite të themelimit të këtyre shoqatave, janë munduar të ndihmojnë gjithmonë ata që kanë nevojë.

“Nuk kemi ndaluar asnjë moment duke ofruar atë çka iu nevojitet shtresave të ndryshme duke filluar që nga shtresat sociale e deri tek profesionistët …  çdo ditë e më tepër po vërtetohet se shëndeti mendor është fundamenti i shëndetit fizik. Duhet që popullatën ta vetëdijesojmë çdo ditë e më tepër për rëndësinë e shëndetit mendor, sepse kohëve të fundit jemi dëshmitarë se janë rritur shumë rastet e dhunës në familje, janë rritur shumë sjellje agresive, janë përhapur fenomene të ndryshme të cilat po dërgojnë edhe në pasoja fatale për vet individin por edhe për vet shoqërinë. Hapi kryesor do të ishte reformat dhe rritja e numrit të psikologëve dhe profesionistëve të shëndetit mendor “, vijoi ai.

Ferid Agani, neuropsikiatër në Kosovë, është shprehur i lumtur me numrin e madh të psikologëve për të ofruar ndihmë rreth shëndetit mendor.

“Pra po e shihini pse emocionet janë të mëdha, prej tre psikologëve para 23 viteve, sot kemi më shumë se një mijë psikologë në fushë, të cilët nga dita në ditë janë duke u avancuar në këtë fushë. Burimi i dytë për këto emocione, për këtë ngjarje është sepse këtu po shohë psikologë prej nga dy trojet tona….  Të bëhen sa më tepër që është e mundur, ura të bashkëpunimit ndërmjet psikologut klinik dhe psikiatrit. Këto ura të bashkëpunimit duhet urgjent të vendosen, të forcohen dhe të fuqizohen. Një kërkesë është që të themelohet Oda e Psikologëve të Kosovës”, tha Agani.

Nexhmije Gori, kryetare e Odës së infermierëve të Kosovës, konsideron se duhet më shumë bashkëpunim në këtë drejtim.

“Ne jemi koishent për rëndësinë e profesionit tuaj, andaj ashtu siç e keni konsideruar, ashtu konsideroni odën si shtëpinë tuaj. Ju ftoj që të vazhdojmë kështu të bashkuar që të jemi më afër të gjithë atyre që kanë nevojë për dorën tonë”, përfundoi Gori.

Në këtë kongres po marrin pjesë mbi 250 pjesëmarrës të pranishëm dhe mbi 200 online, duke bërë thirrje të vazhdueshme institucioneve përkatëse që të punohet më shumë mbi shëndetin mendor.

Top Channel

Read Entire Article