Kraja denoncon ARRSH: Shpalli 200 milionë euro tendera, por u vendosën kritere që s’kualifikojnë sipërmarrjet e huaja

6 months ago 2

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Rithemelimit, Akil Kraja, ka komentuar zgjatjen e vlefshmërisë për “Ligjin për Investimet Strategjike” deri në fund të vitit 2024.

Kraja shprehet se ky ligj është korruptiv, okult dhe klientelist, pasi sipas tij, këtë status e kanë marrë drejtorët e korruptuar ose kriminelë. Ai shtoi se qeveria e Edi Ramës nuk i do bizneset e Europës dhe të Perëndimit, pasi ata kërkojnë standarde, mirëqeverisje dhe ligjshmëri.

Kraja ka denoncuar ARRSH, e cila kohët e fundit ka shpallur 13 procedura për investime strategjike publike me vlerë mbi 200 milionë euro.

DEKLARATA E ANËTARIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD, AKIL KRAJA:

Pak javë më parë, Parlamenti Shqiptar e zgjati vlefshmërinë e ‘Ligjit për Investimet Strategjike’ deri në fund të vitit 2024. Një ligj klientelist, okult, korruptiv teksa këtë status e kanë marrë drejtorë të korruptuar të Bashkisë Tiranë, apo kriminelë të dënuar për trafiqe e krime nga më të rëndat.

Nga 57 projekte të cilat kanë marrë përfitime fiskale dhe ekonomike si pasojë e akordimit të statusit të investitorit strategjik, vetëm 4 janë tërësisht të huaja. Vetëm 4, ku ndër to përfshihet dhe projekti i pronarëve fantazmë të Portit të Durrësit. Qeveria e Edi Ramës nuk i do investitorët e huaj, dhe pse në fasadë duket se i miklon partnerët europianë me konferenca historike, deklarata bombastike e nisma integruese.

E vërteta është krejt tjetër.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian është shkelur me dhjetëra herë teksa sipërmarrjet europiane nuk ftohen të marrin pjesë në garat për investimet publike strategjike. Jo vetëm investimet e huaja kanë rënë për shkak të korrupsionit të kudondodhur, por dhe ato kompani europiane e perëndimore që operojnë ende në vend, duket se po largohen njëra pas tjetrës, si në sektorin bankar, të telekomunikacioneve apo dhe në atë tekstile e lëkurë.

Qeveria e Edi Ramës nuk i do bizneset europiane dhe perëndimore pasi ato kërkojnë standarde, mirëqeverisje, ligjshmëri.

Bizneset europiane nuk i konkurrojnë dot kompani si 5D të cilat i çojnë 100% të tenderit drejtorit të korruptuar të rilindjes. Ky është filtri me të cilin duhet lexuar dhe vendimi më i fundit i Autoritetit Rrugor Shqiptar i cili shpalli së fundmi 13 procedura për investime publike strategjike me vlerë mbi 200 milion euro.

Procedura e sapo shpallur nga ARRSH, drejtori VIP i të cilës u arrestua nuk ka pak kohë, u kërkon kompanive të huaja dhe europiane të bëjnë ekuivalentimin e licencave të tyre pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shqiptare, para se të aplikojnë. Në të kundërt ato skualifikohen. Ndërkohë që procedura e ekuivalentimit zgjat 38 ditë, afatet për të aplikuar për këto tenderë zgjasin nga 30 deri në 35 ditë.

Bizneseve europiane u themi Shqipëria nuk është e hapur për biznes, ndërkohë kompanive fantazëm si ajo e inceneratorit, u jepen pikë bonus edhe para se të krijohen apo të regjistrohen në QKB.

Ky është standarti anti-perëndimor, anti-biznes, anti-konkurrencë i Edi Ramës, i Erion Veliajt, i Evis Berberit, i Mariglen Qatos, i Redi Mollës, i Taulant Tushës dhe i gjithë sektit të Rilindjes që ushqehet me tendera fiktivë e grabitje taksash.

Ndaj të premten, në orën 11:00, Tirana duhet të dalë në shesh për t’i dhënë fund, o sot o kurrë, kësaj babëzie korruptive të pafre.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article