Kostoja vjetore e krimeve kibernetike pritet të arrijë në 10 trilionë dollarë vitin e ardhshëm.
Për ta vendosur këtë shifër në “një kontekst tjetër”, për sa i përket BPV-së, kjo do të ishte sa vlera e “ekonomisë së tretë më të madhe në botë” pas SHBA-së dhe Kinës, vlerësojnë mediat e huaja.
Kjo është arsyeja pse vendet nga Australia në Kinë, Britania e Madhe dhe SHBA po garojnë për të forcuar ligjet e tyre të sigurisë kibernetike – dhe pse OKB-ja pritet të miratojë një traktat historik kibernetik në javët e ardhshme.
Nga falsifikimet e thella dhe dezinformatat te hakimet dhe sulmet në infrastrukturë, rrjetet e kujdesit shëndetësor dhe të sigurisë, krimi kibernetik po bëhet sfida numër një për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës.
Dhe inteligjenca artificiale tashmë po ndryshon rregullat e lojës.
Bota jonë dixhitale gjithnjë e më e ndërlidhur na bën të gjithëve më të prekshëm ndaj bandave kriminale dhe hakerëve të sponsorizuar nga shteti, të cilët mund të kenë qasje në të dhënat dhe pajisjet tona.
Imagjinoni të dorëzoni kontrollin e llogarisë suaj bankare, apo automjetit tuaj elektrik.
Pra, si po reagon komuniteti ndërkombëtar?
Për njohuri të tjera mbi shkallën dhe natyrën e problemit, Al Arabiya News ka takuar ekspertë kryesorë në Forumin Global të Sigurisë Kibernetike në kryeqytetin saudit Riad.
Drejtori i Krimeve Kibernetike të Interpolit, Dr. Neal Jetton, drejton betejën e agjencisë kundër hakerëve.
“Dua të them, ju mund të hiqni qafe fjalën ‘cyber’ dhe thjesht ta quani atë ‘krim’, sepse nuk ka shumë krime që nuk janë të lidhura tani me një kompjuter, me një telefon ose me ndonjë sistem tjetër rrjeti”, ka thënë ai për Al Arabiya News.