Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Lukesemburgut, Xavier Bettel, më 3-4 korrik do të qëndrojnë në Beograd dhe Prishtinë.
Rutte dhe Bettel fillimisht do të vizitojnë Zagrebin dhe të hënën do të qëndrojnë në Beograd, ku do të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministren Ana Bërnabiç.
Një ditë më vonë do të qëndrojnë në Prishtinë dhe do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e dy kryeministrave evropianë ishte planifikuar para disa muajsh. Por, ata do ta shfrytëzojnë këtë udhëtim për të dërguar mesazhin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj liderëve në Kosovë dhe Serbi për nevojën e uljes së tensioneve, qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe kthimin në dialogun që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Në këtë vizitë ishte paraparë të merrte pjesë edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo. Por, ai e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.
Kjo vizitë nga këto tri shteteve, sipas burimeve diplomatike, ishte planifikuar si “një qasje e përbashkët e Beneluksit” në disa çështje të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto tri shtete janë shumë të interesuara për një bashkëpunim të ngushtë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me migrimin.
Përveç procesit të integrimit evropian të shteteve të rajonit, vendet e Beneluksit gjithmonë kanë qenë të interesuara që këto shtete të bashkëpunojnë në ndaljen e migrimit masiv drejt BE-së, riatdhesimin e qytetarëve të tyre që ilegalisht qëndrojnë në BE dhe bashkëpunimin me këto vende në luftimin e trafikimit.
Edhe pse në këtë vizitë nuk do të jetë kryeministri belg, shefat e qeverive të Holandës dhe Luksemburgut do të paraqesin edhe qëndrimet e Belgjikës. Këto tri shtete tradicionalisht bashkëveprojnë në shumë çështje të politikës së jashtme dhe kanë qëndrim të përbashkët edhe brenda BE-së sa herë që kjo përshtatet e interesat e tyre kombëtare.
Top Channel