Policia e Vlorës ka bërë të ditur se arrestoi në kushtet e flagrancës shtetasin L. M., 26 vjeç, banues në Ksamil. Ky shtetas, gjatë ditës së djeshme, në rrugën Butrinti, Ksamil, (rast i bërë publik dhe me pamje filmike në rrjetet sociale) kundërshtoi me dhunë punonjësit e qarkullimit rrugor të Sarandës, gjatë ushtrimit të detyrës për plotësimin e procesverbalit të shkeljes rrugore.
Gjithashtu, Komisariati i Policisë Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin T. H., 52 vjeç, banues në Vlorë, pasi ditën e djeshme, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se ka qëlluar një herë me armë zjarri në ajër. Punohet për kapjen e 52-vjeçarit, si dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sektori i Policisë Rrugore në DVP Vlorë arrestoi shtetasin B. G., 40 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Delisuf-Dëllënjë”, duke drejtuar automjetin tip “Lancia”, aksidentoi shtetasin L. Gj., 79 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë. 79-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, për ndihmë mjekësore të specializuar.
Po ky sektor arrestoi shtetasin V. D., 44 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Ismail Qemali”, u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Materialet u referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb