TIRANË, 26 qershor/ATSH/ “Tirana” shuan dilemat dhe njofton zyrtarisht se ndeshjen hapëse të sezonit të ri futbollistik 2023-2024 do ta luajë në kryeqytet, në stadiumin “Air Albania”. Bëhet fjalë për sfidën ndaj gjeorgjianëve të “Dinamo Batunit”, të vlefshme për turin e parë eliminator të European Conference League.

Bardheblutë ndeshjen e parë me skuadrën gjeorgjiane do ta luajnë në kryeqytet, më datë 13 korrik, në orën 20:00. Ishte vetë klubi i “Tiranës” që zyrtarizoi impiantin nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtar ndërsa ftojnë tifozët të mos mungojnë, aty ku një rezultat pozitiv do t’i afronte me kalimin për në raundin e dytë për të sfiduar më pas gjigantët e “Beshiktash”.

Pas zyrtarizimit të ndeshjes së “Partizanit” në “Air Albania”, u duk se “Tirana” do të luante në “Elbasan Arena” ndeshjen e saj të parë, por klubi më i titulluar në vend i ka dhënë fund dilemave dhe më 13 korrik, në orën 20:00, kërkon mbështetjen e të gjithë tifozerisë bardheblu për sfidën e parë europiane.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.