“Kur Peshqit Fillojnë të Zvarriten”, filmi britanik fitues i edicionit të tretë të festivalit Travel Fest Albania

2 hours ago 23

Regjizori Xhim Satherlend: Kishim kënaqësinë të vizitonim vendin tuaj të mrekullueshëm dhe u mahnitëm nga bukuria dhe mikpritja. Shqipëria na ka lënë një përshtypje të pashlyeshme, dhe mezi presim të kthehemi sa më shpejt të mundemi”

“Kur Peshqit Fillojnë të Zvarriten”, është filmi fitues i edicionit të tretë të festivalit Travel Fest Albania. Një produksion britanik me regjizor dhe kompozitor Jim Sutherland (Xhim Satherlend) si dhe skenariste, Morag McKinnon (Morag MekKinon), fituese e disa çmimeve Bafta. Ky triptik impresionues 65-minutësh, me një kolonë zanore simfonike të interpretuar nga Orkestra Kombëtare e Skocisë, rrëfen një histori universale për lidhjen e thellë të njerëzimit me natyrën dhe kohën. Filmi e çon audiencën në një udhëtim impresionist nga formimi i galaktikave, lindja e jetës dhe deri te krizat ekologjike të ditëve të sotme, duke treguar ndërvarësinë e gjithçkaje në natyrë.

Pas marrjes së çmimit producentët britanikë u shprehën: Jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të emocionuar që kemi fituar çmimin për filmin më të mirë nga Travel Fest Albania! Është një nder i madh dhe jemi me të vërtetë mirënjohës për këtë vlerësim. Kishim kënaqësinë të vizitonim vendin tuaj të mrekullueshëm në fillim të këtij viti dhe u mahnitëm nga bukuria dhe mikpritja e tij. Shqipëria na ka lënë një përshtypje të pashlyeshme, dhe mezi presim të kthehemi sa më shpejt të mundemi”.

Edicioni i tretë i Travel Fest Albania ka përfunduar me ceremoninë emocionuese të ndarjes së çmimeve, në prani të dashamirësve të filmit. Për tre ditë në kinematë e Universitetit Europian të Tiranës u shfaqen 30 filma të përzgjedhur dhe u ekspozuan 20 fotografi të konkurentëve nga e gjithë bota.
Shtatë fotografë u vlerësuan për punën e tyre të jashtëzakonshme, që me lentet e tyre rroknin tema të larmishme si tradita, trashëgimia, shpirti njerëzor, ngjarjet kulturore dhe natyra e egër.

Në kategoritë e filmave, pesë autorë u nderuan për kontributet e tyre në montazh, skenar, kinematografi, sound design dhe regji, ndërsa ndarja e çmimeve kulmoi me shpalljen e 12 filmave më të mirë në kategori të ndryshme. Çmimi për filmin më të mire në kategorinë “Mjedisi & Ekologjia” shkoi për regjisoren italiane Raffaella Lorusso, me filmin e saj Neverland (L’Isola che non c’è), në kategorinë “Shqip”, fitoi filmi i regjisorit Adrian Guri, “Shpëtimi i Lumit Vjosa – Përtej Historisë”,

Edicioni i tretë i Travel Fest Albania ishte një festë e krijimtarisë, njëkohësisht një thirrje për ndërgjegjësimin rreth problematikave mjedisore, duke ofruar një platformë për regjisorët dhe fotografët që të eksplorojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrore përmes shfaqjes së fuqishme vizuale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article