Kush është Qemal Sakajeva ish-spiuni sigurimit që i tha Sali Berishës “Po të kërkojnë studentët”

3 weeks ago 9
Reklamë

Vetë Sali Berisha e ka pranuar që në emisionin Opinion të Blendi Fevziut që ishte Qemal Sakajeva që i tha Sali Berishës që studentët në vitet 90, janë duke të kërkuar të takojnë.
Po kush është Qemal Sakajeva ?

Drejtori i Berishës në kryeministri Qemal Sakajeva spiun i sigurimit me pseudonimin “Tigri”

Meqë kryeministri Berisha ka deklaruar në parlament, në vitin 2006 se do të hapen dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, nga «Cigarja» tek «Raketa», siç u shpreh ai, dhe kjo gjë nuk po ndodh ende («Cigarja» dhe «Raketa» janë në parlament, madje «Cigarja» është krahu i djathtë i Edi Ramës në politikën e re), atëherë unë, sa për ta kujtuar kryeministrin për premtimin e tij, po hap një dosje sigurimsi që është funksionar i lartë në kryeministri, atë të Qemal Sakajevës, drejtor i dokumentacionit.Këtu po botoj proces-verbalin e mbajtur nga Sigurimi i Shtetit për përfundimin e bashkëpunimit të Qemal Sakajevës me Sigurimin e Shtetit, pasi sipas platformës të Sigurimit të Shtetit, kur një bashkëpunëtor shkonte me punë në aparat dhe do të pranohej në parti, ai ndërpriste bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, dhe mund ta rifillonte këtë vetëm në raste të veçanta me lejen e Sekretarit të Parë të rrethit. Në fakt, personi vazhdonte të ishte i lidhur me Sigurimin se si komunist ai kishte detyrimin të raportonte në organizatën-bazë të partisë për çdo gjë që konstatonte, dhe kjo pastaj i përcillej Sigurimit me anë të zëvendëssekretarit të organizatës-bazë të partisë, që ishte koordinatori i partisë me Sigurimin e Shtetit, në të gjithë piramidën partiake, nga zëvendëssekretari i organizatës-bazë, sek sekretari i dytë i rrethit, dhe deri tek sekretari i dytë i Komitetit Qendror.
Ndërprerja e bashkëpunimit të «Tigrit»-Qemal me Sigurimin e Shtetit është bërë në pajtim me platformën e Sigurimit të Shtetit, meqë ai tashmë punonte pranë Komitetit Qendror të Rinisë, dhe do të pranohej në parti. Në dokumentin që po botoj, Qemal Sakajeva figuron me emrin Qemal Ali Sakajevo, por është fjala për të njëjtin person, mbiemrin i të cilit është «Sakajava», ashtu si në shqip thuhet «Kosova» dhe jo «Kosovo», por oficerët e Sigurimit të Shtetit e shkruanin «Sakajevo» për kortezi ndaj themeluesit të Sigurimit, serbit Dushan Mugosha. Por edhe në jetëshkrimin që ka paraqitur vetë «Tigri» në faqen on-line të Këshillit të Ministrave (http://.keshilliministrave.al/?fq=sh…m=shoëpers&pID), ai e shkruan gabim mbiemrin e vet: Sagajava. Merret vesh, ka një fobi nga mbiemri i vet. Qemal Sakajeva paraqit këtë jetëshkrim për veten në faqen on-line të Këshillit të Ministrave:

Qemal Sagajeva

Të dhëna personale
Kombësia: shqiptare
Datëlindja: 1945

Gjuha amtare: shqiptare
Gjuhë të tjera: anglisht, rusisht
Arsimimi: 1968-1970, Dega Gazetari në Universitetin e Tiranës
1965-1970: Fakulteti i Agronomisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Eksperienca pune:
1999- në vazhdim: editorialist i lirë i Gazetës «55»
2003-2005: Drejtor i televizionit privat NTV Botime: Kam botuar rregullisht analiza të ndryshme në shtypin e përditshëm si dhe në disa revista të huaja.
Kam botuar tetë libra. Më të fundit janë «Armatosja e politikës» (1998), «Qendërcikloni» (2002), «Ethet e udhëtimit» (2006)

Qemal Sakajeva bën falsifikime të mëdha në jetëshkrimin e vet, duke filluar që nga mosha. Ai thotë se ka lindur në vitin 1945, kur ai ka lindur në vitin 1942, ç’ka thuhet në dosjen e Sigurimit të Shtetit për të. Qemal Ali Sakajevo, për të cilin bëhet fjalë në dokumentin e Sigurimit të Shtetit dhe që ka lindur në Lushnjë, në 1942, ku është rekrutuar, pastaj ka shkuar në Institutin Bujqësor, në 1966, më pas në gazetën «Zëri i Rinisë», si dhe në Komitetin Qendror të Rinisë, është pikërisht Qemal Sakajeva, ashtu si Qemal Sagajeva i faqes on-line të kryeministrisë është Qemal Sakajeva. Të dhënat përkojnë me jetën e tij. Qemal Sakajeva (Sakajevo-Sagajeva) ka falsifikuar datëlindjen e vet, duke e ulur moshën me tre vjet, për shkak se sipas datëlindjes së tij të vërtetë, ai duhet të kishte mbushur moshën e pensionit që në vitin 2007. Në jetëshkrimin e vet, në faqen e Këshillit të Ministrave, Qemal Sagajeva (Sakajeva-Sakajevo) thotë se ai ka studiuar në Fakultetin e Agronomisë në Universitetin Bujqësor të Kamzës në vitet 1965-1970. Këtu ai mashtron që nga emri i shkollës, se atëherë ishte vetëm Instituti i Lartë Bujqësor ku kishte një degë të agronomisë. Pastaj mashtron dhe për kohën, se ai ka shkuar në 1966, siç thuhet në dokumentin e Sigurimit të Shtetit dhe jo në 1965, siç thotë ai, me maninë e tij për të mjegulluar të shkuarën e vet. Gjithashtu në jetëshkrimin e «Tigrit» të bie në sy fakti që ai, kur tregon për vendet ku ka punuar, edhe pse thotë se ka mbaruar shkollën e lartë në vitin 1970, nuk thotë asgjë se ku ka punuar në vitet 1970-1990.
Sipas dokumentit të Sigurimit të Shtetit, Qemal Sakajeva është rekrutuar si bashkëpunëtor në 14 nëntor 1960, në moshën 18 vjeçare, në kohën e Mbledhjes së 81 partive komuniste në Moskë, kur Sigurimi i Shtetit kishte filluar një fushatë rekrutimesh, me rastin e epokës së vetëizolimit që po vinte për vendin. Në dokumentin e Sigurimit të Shtetit vlerësohet kështu bashkëpunimi i Qemal Sakajevës: «Gjatë kohës së Institutit ai ka dhënë të dhëna me vlerë operative për organet tona, sidomos në drejtim të Muharrem Ferit, emigrant kosovar, me banim në Durrës; ka qenë shumë i rregullt në takime, i disiplinuar, ka kryer mirë detyrat e ngarkuara nga ana jonë».
Atëherë ka qenë një praktikë e Sigurimit të Shtetit që të vinte shqiptarë me origjinë nga Kosova, siç ishte Qemal Sakajeva, që të spiunonin dhe të futnin në burg shqiptarë me origjinë nga Kosova, ose nga trojet e tjera shqiptare në Jugosllavinë e asikohe. Në fakt, për regjimin komunist, të gjithë shqiptarët e Jugosllavisë ishin «kosovarë», një fjalë e koduar, me konotacion pezhorativ, që do të thoshte njerëz të këqinj. Muharem Feri ishte me origjinë nga trojet shqiptare në Malin e Zi, megjithatë edhe ai quhej «kosovar». Regjimi komunist, duke armiqësuar me njëri-tjetrin shqiptarët me origjinë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare që banonin në Shqipërinë e 1913, donte të kënaqte Serbinë. Përgjithësisht, këta shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavinë e asikohe arrestoheshin dhe dënoheshin si spiunë të UDB, për të cilën thuhej se donte të përmbyste regjimin në Shqipëri. Por kjo ishte një gjë qesharake se në rast se Beogradi do të donte vërtet të përmbyste regjimin komunist në Shqipëri, atëherë duhej që t’ i bënte bllokadë Shqipërisë, duke ndërprerë tregtinë me të, që ishte në leverdi të Shqipërisë, dhe të ndalonte qarkullimin tranzit nëpër Jugosllavi të kamionëve shqiptarë që transportonin mallra në vendet e Lindjes. Por për Serbinë, Shqipëria staliniste e izoluar, që vetëshkatërrohej, ishte një gjë shumë më e pëlqyeshme, se një Shqipëri që do të hapej ndaj Perëndimit, pasi të përmbysej regjimi stalinist.
Një tjetër sinjal i pëlqyeshëm që Enver Hoxha i çonte Serbisë ishte se të gjithë ata njerëz me origjinë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi, që bënin njëfarë karriere në Shqipëri, kishin kaluar provën e spiunimit të ngjashmëve të tyre, si «Tigri», i cili duke u nisur nga fshati Babunjë e Re e Lushnjës, bëri një karrierë që pak shqiptarë me origjinë nga Kosova e bënin në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Sigurimi i Shtetit ishte tutori i karrierës së Qemal Sakajevës. Ai ka studiuar në Fakultetin e Agronomisë, në vitet 1966-1970, ndërsa në vitet 1968-1970, siç thotë vetë, ka studiuar për gazetari. Kjo do të thotë se ai në vitin e tretë të shkollës së lartë ka kaluar në atë kursin që ishte hapur për gazetarët, se atëherë nuk kishte degë të gazetarisë në shkollën e lartë. Pra, në vitin 1968 ndihet shtysa e dorës së Sigurimit të Shtetit që e bën një djalë nga fshati Babunjë e Re e Lushnjës, aq më tepër dhe me origjinë kosovare, kur dihej animoziteti i regjimit komunist për njerëzit me origjinë kosovare, të fitonte të drejtën për të studiuar për gazetari dhe për t’ u bërë gazetar.
Kërcimi i tij ishte kërcim i «Tigrit». «Tigri» linte pas një gjurmë gjaku të viktimave në trajektoren e karrierës së tij. Kjo shpjegon se përse ai, me mbarimin e shkollës së lartë, u emërua në Tiranë, në gazetën «Zëri i Rinisë», si redaktor, kur ata që mbaronin shkollën atëherë emëroheshin në rrethe të largëta, përveçse kur nuk kishin miq të fuqishëm tek nomenklatura. Djaloshi nga fshati Babunjë e Re e Lushnjës nuk kishte miq familjarë, por ai i përkiste familjes së madhe të Sigurimit të Shtetit, që kujdesej për të. Tek «Zëri i Rinisë» ai punoi 11 vjet, deri në vitin 1981, kur u rrit dhe në detyrë, duke u bërë sekretar kolegjiumi në gazetën «Bashkimi», gazeta e dytë më e madhe në vend, pas gazetës «Zëri i Popullit», post që e mbajti deri në vitin 1988. Ky emërim u bë se pas ngjarjeve në Kosovë të vitit 1981, binte në sy se në shtypin qendror të Tiranës kishte edhe minoritarë grekë dhe sllavë në poste drejtuese, por jo shqiptarë me origjinë nga Kosova. Prandaj u soll me ngut «Tigri» tek «Bashkimi». Por u zgjodh një njeri që kishte kaluar testin e pëlqyeshëm për serbët që të kishte futur në burg shqiptarët me origjinë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare në Jugosllavi. Atëherë Qemal Sakajeva vërtet që nuk ishte bashkëpunëtor formal i Sigurimit të Shtetit, por atëherë kishte një praktikë të trashëguar nga rusët, që kur një bashkëpunëtor ndërpriste marrëdhëniet t’ i thuhej: Kush bëhet një herë çekist, mbetet çekist përgjithmonë! Kështu, një njeri që kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimti të Shtetit si Qemal Sakajeva, do të mbetej gjithmonë një sigurims për regjimin, dhe do të trajtohej si i tillë.
Në fund të viteve tetëdhjetë, regjimi komunist shqiptar filloi një spastrim të ri të njerëzve me origjinë kosovare, për të kënaqur Beogradin. Kështu në këtë kohë u larguan nga ushtria deri edhe oficerë të cilët ishin të martuar me gra nga familje me origjinë kosovare. Por këto spastrime nuk e prekën «Tigrin», i cili në vitin 1988 bëri një tjetër ngjitje në karrierë, duke u bërë zëvendëskryeredaktor i gazetës «Bashkimi». Ky emërim koincidoi me kohën kur regjimi komunist po përgatitej të zbatonte manualin katovician të ndryshimit të sistemit politiko-ekonomik, dhe gazeta «Bashkimi» do të kishte një rol në këtë zbatimin e këtij skenari. Në këtë skenar kishte një rol-kyç dhe Sali Berisha. Në shtator 2004, Berisha ka deklaruar kështu në emisionin «Opinion» të Blendi Fevziut, duke kujtuar angazhimin e tij politik në 1990: «Më 20 qershor, Petrit Skendi më njofton, bashkë me redaktorin e revistës ‘Shkenca dhe Jeta’. ‘Do të bëjmë një diskutim për revistën’, më thotë. ‘Mirë’, i them, ‘por, po të vij, do të diskutoj siç e kam mendjen vetë’. Tani, në tërësi ne ishim një kolektivitet miqsh të fushave të ndryshme dhe unë fillova me pluralizmin. Kjo revistë do të mund të mbijetojë vetëm në qoftë se bëhet pluraliste. Pse unë mbroja pluralizmin e mendimit? Kisha një ide që kjo shoqëri, tmerrësisht komuniste, duhet të përjetojë fazën e pluralizmit të mendimit dhe ngrihem në këtë takim dhe fola për pluralizmin e të drejtat e njeriut. Kërcitën karriget dhe tre-katër u larguan nga mbledhja në një shenjë proteste për termin që unë përdora, për termin ‘pluralizëm’. Unë vazhdova i pa shqetësuar, e mbylla fjalën time dhe pastaj shkruaj një artikull të dytë që u botua në gazetën ‘Bashkimi».
Berisha e ka fjalën për artikullin që botoi në gazetën «Bashkimi» në 17 shtator 1990(fq. 2-3) me titull «Demokracia dhe humanizmi binom i pandarë». Kryeredaktori i kësaj gazete në atë kohë ishte bërë «Tigri» dhe ky ishte njeriu që ia botoi Berishës këtë artikull «guximtar». Sigurisht që edhe «Tigri» bëri kështu një gjest të guximshëm, sipas Berishës. Nëse Berishën po e marrim të mirëqenë se u tregua i guximshëm duke shkruar dhe çuar për botim artikullin në fjalë, lind pyetja: Nga vinte gjithë ky guxim «Tigrit», që e botoi artikullin? Se nuk besoj që Berisha kërkon të na thotë se edhe «Tigri» i Sigurimit të Shtetit ishte disident! “Tigri” u emërua kryeredaktor nga Nexhmije Hoxha, që ishte kryetare e Frontit Demokratik, organ i të cilit ishte gazeta “Bashkimi”. Pra, me logjikën e Berishës, edhe Nexhmije Hoxha na del disidente, që emëroi “Tigrin” në drejtimin e gazetës që i botoi artikullin “guximshëm” Berishës. Çfarëdo që të thotë Berisha, nuk na bind dot se, në rast se artikulli që ai çoi për botim tek “Bashkimi” nuk do të kishte qenë i porositur nga Ramiz Alia, “Tigri” nuk do ta kishte raportuar që atë ditë çështjen në zyrën e shtypit të Komitetit Qendror, duke dorëzuar dhe tekstin e sjellë nga Berisha. Kështu del se kjo disidencë e pretenduar e Berishës qe thjesht pjesë e angazhimit të tij në zbatimin e skemës shqiptare të Katovicës. Kështu shpjegohet «guximi» i Berishës dhe i kryeredaktorit, si një truk i ardhur për shkak se “Tigri” qe ngarkuar nga Sigurimi i Shtetit me një mision katovician, ashtu si dhe Berisha. Me këtë shpjegohen dhe veprimet e Berishës pas disa muajsh në dhjetor 1990, dhe të gjithë atyre që u angazhuan në të ashtuquajturën Lëvizje e Dhjetorit.
Berisha, kur ka qenë në pushtet dhe në opozitë, ka pasur një praktikë, që njerëzit që dijnë shumë për pikat e infleksionit të karrierës së tij, t’ i mbajë pranë dhe t’ i shpërblejë. Kështu bëri dhe me “Tigrin”, të cilin kur erdhi në pushtet në 1992, e bëri drejtor të televizionit publik, atëherë i vetmi në vend, post të cilin “Tigri” e mbajti deri kur Berisha u largua nga pushteti në 1997. Edhe kur Berisha doli në opozitë, u kujdes për “Tigrin”, duke e vënë drejtor të një televizioni privat pranë PD. Atje, “Tigri”, i cili vuante shumë kritikat në oborrin e PD se kishte qenë njeriu i Nexhmije Hoxhës, bëri një “trimëri”, duke dhënë në televizionin e vet para disa vjetësh lajmin se kishte vdekur Nexhmije Hoxha. Kjo gjë e egërsoi shumë Nexhmije Hoxhën, e cila po atë natë në një intervistë në një televizion e përgënjeshtroi lajmin, duke thënë madje edhe se këto i bëjnë disa ish-servilë, që duan të pastrojnë të shkuarën për të ngrënë dhe në krahun tjetër. Berisha i ka bërë shpesh një nder të veçantë “Tigrit”, duke marrë pjesë në promovimin e librave të tij, dhe madje duke folur atje me superlativa për këto libra dhe autorin.
Në një rast para tre vjetësh, Berisha duke folur në promovimin e një libri të “Tigrit”, e çmoi lart këtë se kur PD doli në opozitë, dhe mbeti pa punë, nuk hezitoi të punonte për bukën e gojës, në punë që nuk i përshtateshin atij si intelektual. Në rast se ka qenë vërtet kështu, kjo ka qenë hera e parë që “Tigri” ka punuar vërtet në jetën e vet, dhe madje kur ka provuar sadopak shumë se ç’ punë bënin njerëzit që ai i spiunoi. Por Berisha nuk e la gjatë “Tigrin” larg posteve shtetërore, dhe me të ardhur në pushtet e mori në kryeministri, duke i dhënë një post të rëndësishëm, në drejtimin e drejtorisë së dokumentacionit. Kështu, Berisha tregoi se u preokupua për t’ i gjetur një punë të mirë “Tigrit”, ndërsa për demokratët e tjerë të mbetur rrugëve, dhe që e mbështetën gjatë ditëve të vështira në opozitë, nuk u kujtua kurrë. Në fund të prezantimit në faqen on-line të Këshillit të Ministrave, të drejtorisë që drejton “Tigri” thuhet: “Cilësia e lartë e punës kërkon disiplinë, profesionalizëm dhe bashkërendim, të gjithëve, brenda strukturës”. Me sa duket paska dhe një kërkesë të pashprehur, qenien bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kështu Berisha e përmbysi atë shprehjen e Mao Ce Dunit “tigër prej letre”, duke i lënë letrat e qeverisë në kthetrat e “Tigrit”.

Read Entire Article