Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur sot në një bashkëbidesim me mbështetësit e tij në Gjirokastër. Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se ndër të tjera se ky është një moment kthese vendimtare.
Ai u shpreh se “do ngrihemi në një mosbindje civile dhe do të rrëzojmë këtë armik të egër”.
Pjesë nga fjala e Berishës:
PD ka qenë dhe mbetet parti e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Mbetet parti e interesit kombëtar, e shtetit ligjor dhe orientimit të saj euroatlantik.
Në këtë aspekt nuk ka asnjë kthesë, por kthesa e madhe që kërkohet sot nga ne, nga çdo demokrat, është qëndrimi që duhet të mbajmë ne për realizimin, për garantimin e këtyre parimeve.
Kthesa që kërkohet nga ne, nga çdo demokrat dhe demokrate, ka të bëjë me misionin e ri që duhet të marrë përsiper PD, të përmbysë me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, atë që erdhi me termin rilindje në vitin 2013 dhe u vërtetua si një revansh primitiv hakmarrës ndaj demokracisë dhe përfundoi në një diktaturë bande, në një diktaturë krimi, në një diktaturë të shpërbërjes së arritjeve tona.
Sot, ne mblidhemi këtu në një moment kur Shqipëria sundohet nga një regjim, në të cilin krimi me lidhjet e tij gjer te kryeministri, në të cilin kartelet e drogës, nga Sinaloa e Meksikës, e udhëhequr nga dy shqiptarë, tek ato të Kolumbisë, Ekuadorit dhe Shqipërisë, kanë lidhje me zyrën e kryeministrit.
Mblidhemi në një kohë kur krimi dhe bandat kanë caktuar ministër të rendit, eksponentin kryesor të tyre.
Mblidhemi sot në një moment kur krimi vendos kudo, jo vetëm me këto lidhje, por edhe me grykën e revoles, në rrugë dhe në qelitë e burgjeve me sigurinë më të lartë.
Mblidhemi sot në një regjim të diktaturës së bandave, i cili tre muaj, pesë muaj para zgjedhjeve, liron nga burgjet vrasësit serialë, sjell nga Dubai dhe vendet e tjera, trafikantët më të rrezikshëm për t’i vërsulur kundër votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Mblidhemi pra në një regjim, në të cilin krimi shndërrohet në votë dhe vota shndërrohet në krim.
A nuk u themeluam ne si parti e votës së lirë? Ne sollëm votën e lirë në Shqipëri, ne i përzumë me votën e lirë ata që erdhën me armë dhe rebelim komunist në vitin 1997. Ne dorëzuam pushtetin me votën e lirë dhe ne mbetemi dhe do jemi të betuar, të gatshëm për të paguar çdo çmim për votën e lirë të shqiptarëve.
PD, në njëfarë mënyre ra në apati, në raport me vlerën më themelore pas jetës të një shoqërie të lirë: vota e lirë.
Ndaj dhe sot lypset kthesa. Sot pritet vendimi ynë.
Ne u premtuam shqiptarëve se do mbrojmë votën tuaj dhe ne kemi qenë shumë seriozë në këtë premtim.
Natyrisht mbase ka pasur keqkuptim, mbase është kuptuar se ne ditën e zgjedhjeve do rrëmbejmë armët për të mos lejuar grabitjen.
Jo, nuk ishte ajo kuptimi i zotimit tonë. Kuptimi i zotimit tonë ishte se ne do verifikojmë çdo vjedhje dhe se ne hajdutit nuk do ia falim kurrë votën.
Ky ishte kuptimi i atij zotimi. Ndaj dhe ne e kemi detyrim premtimin që u dhamë shqiptarëve që do mbrojmë votën tuaj.
Ndaj sot jemi në sheshin e betejës për t’i thënë hajdutit se ti votën e vjedhur nuk do e gëzosh kurrë.
Përndryshe, në qoftë se ne nuk bëjmë këtë, firmosim për pushtetin e tij edhe në vitin 2040. Por ne nuk do e bëjmë atë.
Ne jemi parti e misioneve të mëdha.
Ne do ngrihemi në një mosbindje civile dhe do të rrëzojmë këtë armik të egër, që dallon aq sa dallojnë dy pika ujë në raport me votën, me dajën e tij xhelat të inteligjencës së diktaturës, Spiro Koleka.
Dallon në këtë aspekt me të atin xhelat që firmoste varjen në litar të disidentit.
Pra, këtë betejë e kemi betejë për ekzistencën e demokracisë.
Këtë betejë e kemi betejë për lirinë e votës. Detyrimin tonë për të garantuar votë të lirë për shqiptarët.
Ndaj dhe kjo është një kthesë.
Nuk e kemi bërë, nuk e bëmë më 26 prill, kur ne nuk duhet të lejonim kurrë të hynte në kryeministri kryebanditin që shpërndau 230 milionë euro për të vjedhur votat dhe prishur rezultatin e zgjedhjeve.
Por ajo nuk shkon më, ato data nuk përsëriten më. Nuk jemi ata ne, ne jemi ata që kemi sjellë votën e lirë dhe do e garantojmë me çdo kusht.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb